Lidhje

Filmi 3-dimensional eksploron lidhjen e njerëzve me botën nën ujë


Shkëmbinjtë koralë janë si qytete nën ujë. Në to banon çereku i qenieve nënujore, që shërbejnë si burim ushqimi për miliarda njerëz; atje punësohen miliona vetë dhe shërbejnë si brez izolues nga valët e stuhive detare për komunitetet bregdetare. Por tani sharrat koralore ndodhen në vështirësi për shkak të peshkimit pa kriter, ndotjes urbane dhe industriale dhe ngritjes së temperaturës së oqeanit. Fati i shkëmbinjve koralorë lidhet ngushtë me atë tonin... një lidhje e cila shpjegohet mirë në një film të ri 3-dimensional.

Dokumentari i ri titullohet “Shkëmbi i fundit koralor: qytete nën ujë”. Ai trajton dramën e jetës së përditshme në ekosistemet korale në të gjithë botën. Producentët e filmit Luke Cresswell dhe Steve McNicholas nuk donin thjesht të krijonin një film të mrekullueshëm nga ana vizuale. Ata donin të krijonin gjithashtu një film të përgjegjshëm.

"Në se doni mbroni diçka, fillimisht duhet ta vlerësoni atë", thotë producenti Cresswell.

"Ne donim të tregonim me këtë film shtrirjen dhe diversitetin e jetës në përgjithësi dhe si ndërlidhen ato, se si humbja e një elementi do të kishte një efekt domino për të gjithë ekosistemin tonë", thotë producenti McNicholas.

Krahas me kafshët grabitqare, filmi portretizon edhe molusqet e vegjël që u ngjasojnë alienëve. Ai është një udhëtim në ujërat bregdetare të ishullit Palau, ku jetojnë miliona kandilë.

“Por ekosisteme të tjera shkëmbore nuk janë dhe aq të shëndetshme, thotë John Christensen, drejtor i Programit të Shkëmbënjve Koralorë në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike, NOAA.

“Të dhënat vizuale që kemi përfshijnë edhe koralet vdekura. Ne në programin NOAA përqëndrohemi tek tre elementë: kjo përfshin ndikime që lidhen me ndryshimet klimatike, ngrohjen e temperaturave në sipërfaqen e ujit, me nivelin e acidit në oqeane, që është edhe tema qendrore e filmit. Kemi edhe ndikimin e ndotjes së nga burimet tokësore.”

John Christensen thotë se këto ndikime thuajse kanë shkatërruar rreth 20 për qind të shkëmbinjve të planetit tonë. 20 për qind të tjerë mund të dëmtohen ndjeshëm deri në vitin 2030.

“Pra jo vetëm që shohim shkëmbinj koralorë të shkatërruar në zonat që janë në degradim të rëndë, por vemë re edhe një pakësim në masë të biodiversitetit.”

McNicholas dhe Cresswell shpresojnë që filmi i tyre të shërbejë jo vetëm për informimin e njerëzve.

Ata duan që ai edhe t’i motivojë njerëzit të angazhohen në përpjekjet për t’i shpëtuar shkëmbinjtë koralorë.

Një temë që trajton filmi është edhe ajo e lidhjes mes qyteteve ku ne jetojmë dhe atyre nën ujë, me të cilat ne kemi një varësi reciproke.

“Mendoj se në se i referohemi intervaleve kohore dhe fotografimeve ajrore, kjo të bën ta shohësh qytetin ndryshe. Shikon grumbullin e njerëzve, atë të ndërtesave dhe kjo të ndihmon të shohësh shkëmbinjtë koralorë.”

Këto dy botë bashkohen në fund të filmit, në një park nënujor të Meksikës, të mbushur me qindra skulptura me përmasa jetësore që portretizojnë njerëzit dhe objektet. Algat dhe koralet i shndërrojnë skulpturat në një botë të re nënujore, simbolike, ku fëmijët zhyten dhe notojnë në mesin e tyre.

“Shkëmbi i fundit koralor” është tani një përgjegjësi e jona, të cilën ne nuk mund ta injorojmë. E ardhmja e tij është në duart tona.”

XS
SM
MD
LG