Lidhje

Fshati i Gjergj Fishtës, ruan dëshmi të jetës së birit të saj


Fshati Fishtë i Komunës së Blinishtit në rrethin e Lezhës ruan ende dëshmi të poetit, atdhetarit dhe françeskanit të madh At Gjergj Fishta edhe 73 vjet pas vdekjes së tij.

Shtëpia e Gjergj Fishtës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:15 0:00

Mbi një nga kodrinat e fshatit, edhe sot e kësaj dite gjendet shtëpia ku poeti Fishta kaloi një pjesë të viteve të fëmijërisë, vend ky që, vitet e fundit, po tërheq vëmendjen e një numri të madh vizitorësh, vendas dhe të huaj.

Në ballë të shtëpisë dykatëshe është vendosur flamuri kombëtar dhe një pllakë mermeri ku shënohet se, në këtë shtëpi ka jetuar poeti i madh Fishta.

Përgjegjësi i sektorit të Monumenteve të Kulturës për Qarkun e Lezhës, Paulin Zefi, thotë se vitet e fundit shtëpia është shpallur “Monument Kulture”, duke u përfshirë në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore që mbrohen nga shteti shqiptar.

"Në vitin 1877, kur Fishta ishte vetëm 6 vjeç, familja e tij u shpërngul nga shtëpia ku Fishta u lind dhe ku sot ndodhet memoriali i vogël me kryq, për t'u vendosur në këtë shtëpi. Muret më të vjetër të kësaj shtëpie, që i përkasin vitit 1877, janë në pjesën përendimore të kësaj shtëpie, që sot është shpallur Shtëpi Muze. Kjo shtëpi është marrë nën mbrojtje në vitin 1991, ndërsa është shpallur “Monument Kulture” në vitin 2008. Është Monument Kulture i kategorisë së dytë, në vartësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër. Këtu, vazhdimisht vijnë nxënës, vijnë edhe të huaj, sidomos turistë italianë të cilët kryesisht vijnë këtu përmes kishave. Dhe vlejnë për t’u veçuar vizitat që bëjnë grupe nga Kosova, të cilët adhurojnë figurën e Fishtës".

Megjithse e shpallur si “Monument Kulture”, shtëpi ku banoi për disa vite Fishta, tashmë është e pabanueshme dhe drejt degradimit të plotë. Prej 15 vitesh këtu nuk jeton askush, pasi pronarët e shtëpisë janë larguar drejt emigracionit.

Përgjegjësi Zefi thotë se, shtëpia ka nevojë për restaurimin e saj të plotë, restaurim për të cilën janë ofruar me dashamirësi biznesmenë të ndryshëm, mes të cilëve edhe biznesmenë nga Kosova. Por ai shton se. restaurimi i objekteve “Monument Kulture” kalon nëpër disa procerura, që garantojnë ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare.

"Ka rreth 15 vite që kjo shtëpi është kthyer në pothuajse të pabanueshme. Siç e shikoni, dritaret edhe dyert janë shumë të dëmtuara. Çatia ka ardhur duke u amortizuar, gjë që ka shkaktuar edhe dëmtimin e mureve në katin e dytë. Aktualisht jemi në negociata me disa donatorë kosovarë për restaurimin. Një kompani, që të bëjë restaurime, normalisht duhet që projekti t’i përcillet fillimisht Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, gjë të cilën unë e kam bërë me datën 23, në ditëlindjen e Fishtës, duke bashkëngjitur kërkesën për restaurimin e shtëpisë. Drejtoria Rajonale e ka përcjellë dokumentacionin tek Drejtoria e Programimit të Zhvillimit në Ministrinë e Kulturës. Më pas, do t’i kalojë për shqyrtim Këshillit të Ekspertëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe, pas ndryshimeve të nevojshme, kur të marrë miratimin nga Këshilli Kombëtar i Restaturimeve, mundësohet nisja e punimeve restauruese".

Ndërkohë, rreth një kilometër larg shtëpisë, ku Fishta kaloi 6 vite të jetës së tij, mbi një lëndinë të gjelbëruar, gjenden edhe themelet e shtëpisë ku lindi poeti. Në shenjë nderimi dhe kujtese, banoret e fshatit Fishtë kanë vendosur një pllakë me shenimin “ Këtu u lind frati i madh, poeti kombëtar At Gjergj Fishta”

Studiuesi i njohur Dom Nikë Ukgjini thotë se, ashtu si edhe për figurat e tjera të njohura të historisë dhe kulturës kombëtare, edhe për Fishtën është e rëndësishme të ruhen si vlerat e krijimtarisë letrare, ashtu edhe dëshmitë materiale që flasin për jetën dhe veprimtarinë e tij si poet, atdhetar dhe klerik, i cili ja kushtoi jetën kulturës dhe kombit shqiptar.

"Fatmirësisht, këtu kemi një shtëpi ku, kohë pas kohe, ka jetuar At Gjergj Fishta dhe kjo është, po themi, një gjurmë material e tij. Pastaj kemi jo fort larg vendin ku ai ka lindur, sepse shtëpia ka qenë rrënuar. Kështuqë, është detyrë e të gjithëve, pa marrë parasysh ku jetojmë dhe çfarë pozicioni kemi në shoqëri, të angazhohemi që të ripërtrihet puna dhe vepra e kësaj figure dhe të ruhet ajo çka është për tu ruajtur, sidomos kur është në pyetje pasuria materiale e At Gjergj Fishtës".

Banorët e fshatit të vogël Fishtë, në shenjë nderimi për bashkëfshatarin e tyre, At Gjergj Fishtën, të cilit diktatura ja ndaloi veprën dhe treti varrin. tashmë u kanë dhënë bizneseve të tyre emra që shquajnë krijimtarinë së poetit, si “Mrizi i Zanave” apo “Hylli i Dritës”, duke shpresuar se kështu do të tërheqin edhe më shumë kureshtjen, nderimin dhe interesimin e turistëve, vendas dhe të huaj, për të ardhur në Fishtë, vendlindjen e poetit, që mban të ndezur kujtesën popullore.

XS
SM
MD
LG