Lidhje

Asnjë përparim në përpjekje për uljen e borxhit


Një marrëveshje për të pakësuar borxhin kombëtar të Amerikës, nuk është arritur ende, tre javë para një afati, skadimi i të cilit do të sillte rritje taksash dhe shkurtime buxhetore, e ashtuquajtur katastrofë fiskale. Dhoma e Përfaqësuesve i ka mbyllur punimet për këtë javë pa ndonjë përparim në afrimin e qëndrimeve mes kryetarit të saj dhe Presidentit Barack Obama për një marrëveshje që do të shmangte pasoja serioze financiare dhe ekonomike për amerikanët në vitin e ri.

Krerët e demokratëve dhe republikanëve në Kongres bien dakord për diçka: bisedimet për reduktimin e borxhit janë të bllokuara. Dhe në mes të bllokimit, një paralajmërim nga shefi i Bankës Qendrore amerikane Ben Bernanke, për pasojat a mungesës së një marrëveshjeje deri në fund të vitit.

“Mendoj se ekonomia do të shkojë drejt greminës. Është me të vërtetë shqetësuese”.

Cili është shqetësimi? Shkurtimet e thella të shpenzimeve do të kufizojnë aktivitetin federal, që nga ndërtimi në autostrada deri tek siguria në aeroporte, e deri tek programet e arsimit. Njëkohësisht, skadimi i lehtësimit të taksave, mund të ngadalësojë shpenzimet e konsumatorëve, duke detyruar bizneset të shkurtojnë prodhimin dhe të shtyjnë marrjen në punë.

Presidenti i Saks Fifth Avenue.

“Sigurisht që do të jemi të kujdesshëm. Shpresoj të gjendet një zgjidhje për katastrofën fiskale”.

Edhe fermerët e Amerikës mund të vuajnë pasojat. Taksa më të larta do të shkaktonin probleme për fermat familjare thotë ekonomisti Matt Erickson.

“Një ndër 10 fermave mund t’i duhet të paguajë taksa. Si do ta nxisë kjo sipërmarrjen në Amerikën rurale nëse fermerëve do t’u duhet të shesin tokën, ndërtesat dhe gjëra të tjera të ngjashme për të paguar taksat?”

Me bllokimin e negociatave, të gjitha palët akuzojnë njëra-tjetrën. Kreu republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner:

“Për fat të keq, Shtëpia e Bardhë nuk po mendon seriozisht për të ulur shpenzimet”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney fajëson republikanët se po kundërshtojnë rritjen e taksave për më të pasurit.

“Nuk është një qëndrim i pranueshëm të kesh si përparësi uljen e taksave për të pasurit. Nuk është politikë e mirë ekonomike. Nuk e përballojmë dot dhe nuk është e drejtë”.

Disa republikanë po fillojnë ta pranojnë propozimin e presidentit Obama për shkurtime taksash për të gjithë përveç 2 për qind më të pasurve. Por kongresmeni republikan Paul Broun nuk është dakord.

"Ne nuk duhet t’ia ngremë askujt taksat për asnjë arsye. Qeveria ka fonde të tepërta. Duhet të frenojmë shpenzimet”.

Shumë demokratë kundërshtojnë thirrjet republikane për të shkurtuar programet federale që japin ndihmë ekonomike për pensionistët.

Rezerva Federale nuk e shpëton dot ekonominë nëse nuk ka marrëveshje, paralajmëron Ben Bernanke.

“Nuk mund t’i kompensojmë të gjitha pasojat e katastrofës fiskale. Do të ishin shumë të rënda”.

Zoti Bernanke propozon shmangien e tronditjeve afatshkurtra financiare, ndërsa punohet për reduktimin afatgjatë të defiçitit. Demokratët dhe republikanët janë në një mendje për objektivin, por mbeten të ndarë për rrugën e realizimit të tij.
XS
SM
MD
LG