Lidhje

Fitorja e Aleatëve 75-vite më parë ndryshoi historinë


Veteranë amerikanë të betejës në Belgjikë

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë këtë të premte, Gjermania naziste iu dorëzua Aleatëve. Lufta në Paqësor do të vazhdonte edhe për tre muaj të tjerë, por 8 maji 1945, shënoi fillimin e epokës së re në historinë botërore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, i rikthehet asaj që u quajt V-E Day, Dita e Fitores në Evropë.

U festua me ngazëllim fundi i luftimeve në Evropë, tre vjet pasi Shtetet e Bashkuara iu bashkuan kësaj përpjekjeje.

Ndërsa bota zbulonte përmasat e mizorive naziste, luftimet e ashpra kundër Japonisë vazhduan në Paqësor. Më shumë se 60 milionë njerëz vdiqën në konflikt.

Fitorja e Aleatëve nuk ishte e pashmangshme. Suksesi erdhi nga shumë vendime të mëdha dhe të vogla.

"Shumë vendime nga individë, presidentë të veçantë, individë në fushë-betejë, komandantët e anijeve", thotë Conrad Crane, historian i Qendrës së Ushtrisë për Trashëgiminë dhe Edukimin.

Kërcënimi i nazizmit çoi në një partneritet të aleatëve të pazakontë.

"Flasim për vende me dallime të mëdha - Amerika, Britania, Bashkimi Sovjetik u bashkuan për të shkatërruar Gjermaninë dhe miqtë e saj në Evropë, dhe në vazhdim edhe Perandorinë Japoneze. Është një shembull i shkëlqyer se si duhet të funksionojë një koalicion", thotë zoti Crane.

Pas luftës, Evropa u ringrit nga hiri dhe u rindërtua pjesërisht nga Plani Marshall i Shteteve të Bashkuara dhe dëshira e re për një unitet evropian.

"Shumë prej transformimeve në Evropë, institucionet që ne shohim dolën nga nevoja për të rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe nga ndjesia e pas luftës se evropianët nuk do t'ia dilnim më të vetëm. Atyre iu duhej ndihmë ”, thotë Kevin Klowden, ekonomist në Institutin Milken.

Për shumë vende, Shtetet e Bashkuara u bënë një model.

"Sot, në botën e lirisë, mburrja më krenare është ‘Ich bin ein Berliner' ('Unë jam një berlinez')", deklaronte Presidenti John Kennedy.

Shtetet e Bashkuara promovuan institucionet ndërkombëtare.

"Organizma si Kombet e Bashkuara, ngritja e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që në thelb lidhën ekonominë botërore me dollarin amerikan", thotë zoti Crane.

Tensionet u rritën në një Luftë të re të Ftohtë, me Shtetet e Bashkuara të vendosura përballë Bashkimit Sovjetik dhe Kinës komuniste.

Sot, me ngritjen e një nacionalizmi të ri, shumë vende po mbyllen brenda vetes.

"Ekziston pyetja nëse vlerat tradicionale amerikane si tregtia e lirë po funksionojnë ende në favorin tonë. Pra, patjetër që ka patur një ndryshim në qëndrim nga gjenerata e vitit 1945", thotë zoti Crane.

Me humbjen e pjesës më të madhe të prodhimit në Shtetet e Bashkuara dhe përballjen me një pandemi, kjo është koha për rivlerësim.

"Tani, kur nuk kemi mjaftueshëm ilaçe që prodhohen në Shtetet e Bashkuara, kur nuk kemi maska të mjaftueshme, pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, po e vëzhgojmë dhe po kuptojmë se ngjason shumë me situatën e luftës nga pikëpamja e prodhimit", thotë zoti Klowden.

Kujtojmë kështu një ditë feste dhe uniteti, tani e përqëndruar në një sfidë krejt të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG