Lidhje

Fituesit e Çmimit “Goldman” për Mjedisin


Sot në San Francisco, u shpallën fituesit e Çmimit Goldman për Mjedisin për vitin 2014. Ata janë sktivistë mjedisorë nga gjashtë rajone të botës. Çdo vit, çmimi prej 175 mijë dollarësh nderon individë të cilët kanë treguar guxim dhe iniciativë për të marrë masa për të mbrojtur mjedisin.

Ishte një shpërthim masiv në një rafineri nafte pranë shtëpisë së tij në Durban, në Afrikën e Jugut, që e shtyu Desmond D' Sa-në të bëhet një aktivist mjedisor. Komuniteti i tij vuan nga shkalla e lartë e astmës dhe kancerit të lidhur me kimikatet në mjedis. D' Sa bëri fushatë për të mbyllur një vend për hedhjen e mbetjeve toksike.

“Kemi ngritur zërin. Kemi lobuar dhe për herë të parë në historinë e këtij vendi dhe arritëm të mbanim përgjegjës shefat e industrisë për veprimet e tyre.”

Pavarësisht kërcënimeve ndaj jetës dhe pronës së tij, D’Sa tani është duke luftuar zgjerimin e portit Durban, gjë që do të zhvendoste mijëra njerëz dhe do të shtonte ndotjen.

Lufta kundër shpyllëzimit në Sumatra, ku plantacionet e vajit të palmave kanë zëvendësuar pyjet, është marrë përsipër nga fituesi i çmimit “Goldman” Rudi Putra. Biologu indonezian ka luftuar kundër operacioneve të paligjshme që kanë prerë pemët në gati 500 hektarë tokë. Zyrtarët lokalë janë bashkuar me të për të mbrojtur pyjet tropikale. Por , ai thotë se ka shumë më tepër për t’u bërë:

“Kohët e fundit, ne nisëm një peticion ndërkombëtar kundër dëmtimit të ekosistemit, të cilin e nënshkruan 1,4 milion njerëz në mbarë botën, dhe iu dorëzua qeverisë indoneziane, për të anuluar planet për ndërtime në pyjet tropikalë.”

Zoologu rus Suren Gazaryan u bë i njohur kur ai protestoi ndërtimin e një shtëpie të re për ish-presidentin Dmitri Medvedev në një rezervat natyror afër Detit të Zi. Kur Presidenti Vladimir Putin lejoi vazhdimin e projektit, zoti Gazaryan mobilizoi njerëzit për të ndaluar ndërtimet.

“Ne filluam me një fushatë në media sociale kundër projektit dhe rekrutuam dhjetë mijë njerëz. Kjo i tregoi publikut se të njëjtët njerëz përgjegjës për krijimin e ligjeve janë të parët që i shkelin ato.”

Pasi fitoi atë betejë, zoti Gazaryan u kthye në Detin e Zi për të luftuar kundër ndërtimit të një shtëpie verore për presidentin Putin, gjithashtu në një tokë të pyllëzuar. I akuzuar pa të drejtë se kishte kërcënuar personelin e sigurisë, zoti Gazaryan u detyrua të largohej largua për në Estoni, ku vazhdon punën e tij mjedisore.

Fitues të tjerë të çmimit Goldman këtë vit janë Ramesh Agrawal nga India i cili, nga kafeneja e tij e vogël e internetit, udhëhoqi një fushatë të suksesshme për të ndalur një projekt të madh të minierave të qymyrit në një vend tashmë të prekur nga ndotja industriale; peruviania Ruth Buendia, e cila luftoi kundër ndërtimit të digave që do të zhvendosnin njerëzit indigjenë; dhe avokatja amerikane Helen Slottje, e cila përdori ligjin për të mbrojtur shumë qytete që mund të prekeshin nga operacionet e shpimit të gazit.
XS
SM
MD
LG