Lidhje

Banorët e Flintit, me mosbesim për ndotjen e ujit


Dy vjet pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Flint të Miçiganit, për shkak të gjetjes së mineralit helmues të plumbit në ujë, autoritetet i kanë siguruar njerëzit se uji tani është i pijshëm. Por banorët ende kanë shqetësim, megjithë sigurimet që kanë marrë nga departamenti për Cilësinë e Mjedisit i Miçiganit. Korrepsondejta e Zërit të Amerikës Anush Avetisyan ishte në Flint, ku bisedoi me banorët që përballen çdo ditë me betejën e ujit të pastër.

"Çdo ditë që bëj dush, nxitohem të mbaroj shpejt…”

4-vjeçari Sincere Smith u bë një fytyra e reklamave gjatë krizës së ujit në Flint, kur fytyra e tij, e mbushur me shenja për shkak të helmimit me plumb, u shfaq në kopertinën e një prej numrave të revistës Time të vitit 2016, nën titullin “Helmimi i një qyteti amerikan”. Rreth dy vjet më pas, e jëma, Ariana Hawk, thotë se ajo vazhdon të përdorë ujë nga shishet kur i lan 5 fëmijët e saj dhe kur gatuan.

"Është më mirë të vazhdoj kështu,”- thotë ajo.

Kanë kaluar dy vjet që nga koha kur në Flint u deklarua gjendja e jashtëzakonshme dhe qyteti duhej të merrte ujë nga Detroiti, më tepër se 100 kilometra larg. Në 2016-ën shteti i Miçiganit deklaroi se uji mund të pihet vetëm me filtër, ngaqë tubacionet e ndotura me plumb nuk janë zëvendësuar ende. Ariana Hawk akoma nuk beson që uji është i pastër:

"Governatori Snyder thotë se duhet përdorur filtri për siguri. Por unë mendoj se uji nuk është ende i sigurtë të pihet,”- thotë ajo.

Çdo ditë pas pune, Hawk shkon te qendra e shpërndarjes së ujit, ku bashkia shpërndan ujë pa para për banorët. Shumica e njerëzve atje nuk besojnë që uji është i sigurtë.

"Disa njerëz nuk e besojnë, pavarësisht nga të dhënat shkencore.”- thotë një zyrtar i Departamentit të Shëndetësisë.

"Unë i zëvendësova tubacionet e shëpisë sime, por uji duket njëlloj.”- thotë një banor.

Gratë shtatzëna dhe të rinjtë nën moshën 21 vjeçare që kanë pirë ujin e Flintin, tani me ligj mund të marrin kujdes shëndetësor special të paguar nga qeveria. Deri tani, nuk ka mënyra për t’i zhbërë pasojat e helmimit me plumb.

"Tek fëmijët, ne jemi të shqetësuar për pasoja në nivelin e inteligjencës, mungesë përqëndrimi, si dhe dëmtime të tjera në procesin kognitiv. Tani mund të ndihmojmë për pakësimin e këtyre efekteve përmes ushqyerjes së duhur, këshillimit dhe mosekspozimit ndaj substancës helmuese,”- thotë doktor De Nicola i Universitetit Geroge Washington.

…Dhe ndërsa banorët e Flintit vazhdojnë të marrin ndihmë, përfshirë çanta me ushqime, qeveria përpiqet të zëvendësojë tubacionet e ndotura me plumb. Këto po realizohen në saje të një fondi prej 97 milionë dollarësh, të miratuar në marrëveshje me Këshillin e Mbrotjes së Burimeve Natyrore, përmes procesit gjyqësor.

"Tani jemi në momentin e zbatimit të marrëveshjes. Gjithmonë duke pranuar se mbetet shumë për t’u bërë, themi se kemi bërë një hap të mirë përpara,”- thotë një zyrtar i Këshillit.

"Shteti, sipas mendimit tim është përgjegjës dhe për këtë arsye duhet të marrë masa, që të ndërtohen tubacione të reja. Por edhe qeveria federale duhet të mendojë për modernizimin e infrastrukturës për të gjitha komunitetet. Ky duhet të jetë një projekt infrasturkture në shkallë kombëtare.”- thotë një zyrtar i qytetit.

Ndërkohë, banorët e Flintit vazhdojnë betejën e tyre të përditshme për ujin e pastër.

"Nuk është e drejtë për qytetarët, nuk është e drejtë për fëmijët tanë.”- thotë Ariana Hawk.

XS
SM
MD
LG