Lidhje

Florida, pa kufizime për restorantet


Florida

Ndërsa është ulur numri i infektimeve që kulmuan gjatë verës në shtetet që përbëjnë atë që quhet rripi diellor nga Florida pëgjatë bregdetit deri në Kaliforni, shteti i Floridës ka avancuar më së shumti në heqjen e kufizimeve, kryesisht kur flitet për restorantet, ku barra për sigurinë ka kaluar tek pronarët e bizneseve dhe banorët, çka ka shtuar edhe shqetësimet mbi mundësinë e ripërhapjes së virusit.

Në përpjekjet e tij për rikthyer shtetin në normalitet, guvernatori republikan Ron DeSantis ka hequr kufizimet mbi numrin e klientëve brenda restoranteve, duke thënë se ato mund të funksionojnë plotësisht në zonat ku nuk ka kufizime dhe se qeveritë e tjera lokale nuk mund të vënë kufizime mbi 50% të kapaciteteve për klientët në ambientet e brendshme të restoranteve.

Në disa lagje turistike të Floridës, klientët kanë mbushur baret dhe restorantet pas këtij vendimi, duke sfiduar urdhërat për mbajtjen e maskave, gjë që ka shkaktuar reagime të ndryshme si nga pronarët ashtu edhe nga vetë klientët.

“Jemi përgjithësisht të shqetësuar se mund të rikthehemi në gjendjen e mëparshme, me një kurbë të përmbysur dhe duke fshirë përparimet e bëra”, tha Albert Garcia i cili drejton shoqatën “Wynwood” për përmirësimin e biznesit, e cila përfaqëson një hapësirë të gjerë me restorante dhe bare në distriktin e artit dhe modës në qytetin Majami.

Shtete të tjera të zonës bregdetare, që njihet si rripi diellor dhe kanë qënë gjatë verës vatra të nexehta infeksionesh, nuk kanë shkuar aq përpara sa Florida. Në Teksas, baret janë mbyllur që nga muaji qershor sipas urdhërave të guvernatorit republikan Greg Abbott. Po ashtu restorantet mund të funksionojnë deri në 75% të kapacitetit të tyre, ndërsa mbulesa e fytyrës është e detyrueshme në të gjithë shtetin. Ndërsa në shtetin Arizona, restorantet mund të funksionojnë me vetëm 50% të kapacitetit.

Megjithëse guvernatori i Floridës në përgjithësi mban maskë gjatë takimeve publike dhe ka lejuar komunat që të vënë rregulla për maskat, ai ka refuzuar të bëjë të domosdoshme përdorimin e maskave në të gjithë shtetin.

Me 25 shtator, ndërsa ai shtet u fut në fazën e tretë të rihapjes, ai i ndaloi komunat që të vinin gjoba për shkelje të rregullave për mbajtjen e maskave. Zoti DeSantis thotë se gjurmimi i përhapjes së infektimeve në bazë të kontakteve të individëve me koronavirus nuk ka treguar që restorantet të jenë burime thelbësore të përhapjes.

“Kam besim se këto restorante duan të kenë mjedise të sigurta”, tha ai në fillim të javës. “Po ashtu kam besim si konsumator, se nëse vë re që këto lokale nuk po marrin masat e nevojshme, padyshim që nuk do të shkosh në një mjedis të tillë”.

Mbylljet dhe kufizimet kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Floridës, duke lënë qindra mijëra të papunë në shtetin e varur nga turizmi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG