Dy anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformat Qerveritare në Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se ish këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, mund të ketë shkelur ligjin federal.
Komisioni për Mbikqyrjen, siç njihet shkurtimisht, është komisioni kryesor hetimor i Kongresit me nën komisione të shumta dhe për vetë funksionin e tij një nga më të fuqishmit.
Sipas dy anëtarëve të tij, zoti Flynn, nuk kishte pasqyruar siç duhet pagesat që kishte marrë për një fjalim në Moskë në vitin 2015 si dhe për angazhime të tjera publike.
"Ky është një problem i madh" tha ligjvenësi Elija Cummings, përfaqësuesi më i lartë demokrat në komision.
Komentet e zotit Cummings vijnë pasi ai dhe kryetari i komisionit, republikani Jason Chaffetz, analizuan formularët që Michael Flynn kishte mbushur në vitin 2016 për të siguruar të drejtën për të patur qasje në informacionet sekrete.
"Nuk shoh të dhëna që mbështesin idenë se gjenerali Flynn ka respektuar ligjin" tha ligjvenësi Chaffetz.
Ligjvënësit thanë se zoti Flynn nuk kishte kërkuar leje apo informuar qeverinë federale për pagesat që kishte marrë, për fjalimin përpara organizatave ruse në vitin 2015 dhe për lobime për të ndihmuar qeverinë e Turqisë.
Ligjvenësit Cummings dhe Chaffetz thanë se zoti Flynn mund të ndiqet penalisht dhe se ai duhet të kthejë mbrapsht paratë me të cilat është paguar.
Ligjvënësit folën për gazetarët, pasi Shtëpia e Bardhë refuzoi kërkesën e tyre për informacione lidhur me procesin e miratimit të kërkesës së zotit Flynn për të patur të drejtë të njihet me infomacionet sekrete dhe për pagesat nga grupe të lidhura me qeverinë ruse dhe atë turke.
Gjenerali Flynn u detyrua të largohej nga Shtëpia e Bardhë pasi gënjeu nënpresidentin Mike Pence lidhur me bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë në Amerikë, Sergej Kislyak, gjatë periudhës së tranzicionit, përpara se presidenti Trump të merrte zyrtarisht detyrën.
Facebook Forum