Lidhje

Një informator zbulon mesazhet e zotit Flynn për sanksionet ndaj Rusisë


Vetëm 11 minuta pasi Donald Trump ishte bërë president, këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, i dërgoi një mesazh me celular ish-partnerit të tij në biznes. Mesazhi i dërguar nga shkallët e Kapitolit thoshte se ishte gati një plan amerikan për të bashkëpunuar me Rusinë për ndërtimin e centraleve të energjisë bërthamore në Lindjen e Mesme. Këto të dhëna u bënë të ditura nga një informator anonim.

Sipas të njëjtit burim, zoti Flynn gjithashtu e siguroi ish-bashkëpunëtorin e tij se do të hidheshin poshtë sanksionet e imponuara nga ish-Presidenti Barack Obama në përgjigje të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane.

Të dhënat u bënë publike dje nga Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings, i cili kryeson grupin e demokratëve në Komisionin e Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Më pak se një javë më parë, zoti Flynn pranoi fajësinë se pati gënjyer hetuesit federalë kur e morën në pyetje disa ditë pas inaugurimit të Presidentit Trump, rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington gjatë javëve përpara se zoti Trump të merrte pushtetin.

Ligjvënësi Cummings nuk zbuloi emrin e informatorit. Por, ai rrëfen se në ditën e inaugurimit, më 20 janar, informatori kishte marrë pjesë në një aktivitet së bashku me Alex Copson, ish-partner në kompaninë ACU Strategic Partners dhe ortak në biznes me zotin Flynn, i cili i dërgonte mesazhe nga radhët e karrigeve pas zotit Trump, ndërsa ai mbante fjalimin e inaugurimit.

Sipas Ligjvënësit Cummings, informatori e pati pyetur zotin Copson se si po ia kalonte, dhe ai ishte përgjigjur se: “Nuk bëhet më mirë. Kjo është dita më e mirë e jetës time”.

Zoti Copson tha se kishte marrë një mesazh nga zoti Flynn se projekti bërthamor për të cilin zoti Copson kishte vite që po punonte, ishte aprovuar dhe se duhet të informoheshin partnerët e tyre në biznes që të përgatisnin gjërat. Ligjvënësi Cummings e përshkruan këtë ndodhi me detaje në një letër dërguar kreut të Komisionit të Mbikqyrjes, Ligjvënësit republikan Trey Gowdy.

Zoti Copson i pati treguar celularin me mesazhin e dërguar nga zoti Flynn, megjithëse ai nuk e lexoi në ekran. Por, ai vërejti se koha e marrjes së mesazhit ishte 12:11, pra vetëm 11 minuta pasi Donald Trump u betua si presidenti i 45-të i vendit.

Siç përshkruhet në letrën e Ligjvënësit Cummings, zoti Copson i tha informatorit se “Mike (Flynn) ka përgatitur çdo gjë për ne. Sot do ta festoj. Me këtë gjë do të pasurohen së tepërmi shumë njerëz.

Ligjvënësi Cummings thotë se pasi u takua me informatorin, mendon se ai “është autentik, i besueshëm dhe i qëndrueshëm”.

24 ditë më pas, Presidenti Trump e shkarkoi zotin Flynn nga posti i tij kryesor në Shtëpinë e Bardhë, pasi përgjimet tregonin se kishte diskutuar për sanksionet me ambasadorin e Rusisë, Sergey Kislyak, por edhe kishte gënjyer Nënpresidentin Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump rreth natyrës së bisedave të tij me të dërguarin e Moskës.

Realisht, sanksionet e vendosura nga ish-Presidenti Obama, dëbimi i 35 diplomatëve rusë dhe mbyllja e dy objekteve ruse në SHBA, nuk u anulluan ndonjëherë. Muaj më vonë, Rusia u kundërpërgjigj duke urdhëruar shkurtimin e 755 nga 1200 punonjësit e misioneve diplomatike të SHBA-së në Rusi, një pjesë e madhe të cilëve ishin shtetas rusë.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller është duke zhvilluar një hetim të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane. Komuniteti i shërbimeve amerikane të zbulimit konkludoi se ndërhyrja ruse ishte drejtuar personalisht nga Presidenti Vladimir Putin, duke synuar të dëmtohej demokracia amerikane dhe të ndihmohej kandidati republikan Donald Trump, përkundër rivales demokrate, ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Zoti Putin ka mohuar të ketë patur ndërhyrje të Rusisë, ndërsa Presidenti Trump ka kundërshtuar vazhdimisht hetimet e Kongresit dhe të Prokurorit Mueller të lidhjeve të mundshme të fushatës së tij elektorale me Rusinë, duke i quajtur ato si justifikime të demokratëve për mposhtjen e zonjës Clinton.

Paralelisht me pranimin e fajësisë, zoti Flynn ka rënë dakort edhe të bashkëpunojë me hetimin e Prokurorit të posaçëm Mueller.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG