Lidhje

FMN: Perspektivë pozitive për rritjen ekonomike globale


Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se perspektiva e ekonomisë globale po përmirësohet, por paralajmëron se proteksionizmi dhe tensionet gjeopolitike mund ta dëmtojnë rritjen ekonomike.

FMN publikoi të martën një raport në prag të takimeve vjetore të zyrtarëve ekonomikë nga e gjithë bota në Uashington.

Zyrtari i FMN-së Maurice Obstfeld tha për gazetarët se rritja globale mund të arrijë nga 3.1% në 2016, në 3.6% në 2018. Ai tha se çmimet e mallrave të konsumit janë stabilizuar që vitin e kaluar, por mbeten në një nivel të ulët, gjë që krijon probleme për vendet eksportuese të këtyre mallrave në Amerikë Latine, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Ai shtoi se problemet e motit dhe trazirat politike nënkuptojnë uri masive për shumë vende me të ardhura të ulëta.


Raporti nënvizon disa “rreziqe për rënie ekonomike” si presioni politik për të kufizuar tregtinë, që në analizën e ekspertëve të FMN sjell më shumë dëme se përfitime. Autorët thonë se rritja jo-paralele e të ardhurave, duke lënë prapa shtresën më të varfër, si dhe krizat financiare e probleme të tjera e kanë forcuar mbështetjen për forca politike të ekstremit. Zyrtari Obstfeld thotë se vendet që shkëputen nga marrëveshjet shumëpalëshe dëmtojnë veten e tyre.

Sipas FMN-së, të ardhurat nuk reflektojnë rritjen ekonomike në vendet përkatëse dhe se ka rënë përqindja e përfitimeve që merr shtresa punëtore nga rritja e prodhimit në vend. FMN u bën thirrje politikanëve të bëjnë më shumë për të garantuar se përfitimet nga rritja dhe tregtia të ndihmojnë çdo shtresë të shoqërisë. Ata sugjerojnë ndryshime në kodin fiskal, investime për të përmirsuar nivelin e kualifikmit të klasës punëtore si dhe lehtësimin e lëvizjes për ata individë që duan të zhvendosen për të gjetur mundësi më të mira.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG