Lidhje

Takimi FMN-Banka Botërore në Tokio


Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se rritja ekonomike globale po ngadalësohet këtë vit dhe ekspertë të Fondit thonë se rreziku për probleme ekonomike serioze po shtohet. Kryeekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard tha se ekonomitë e zhvilluara rrezikohen nga recesioni, ndërsa ekonomi të mëdha në zhvillim si Kina po e ndjejnë përherë e më tepër efektin e recesionit. Drejtues të lartë financiarë dhe politikë do të mblidhen më 13 tetor në Tokio për të diskutuar për këto dhe çështje të tjera të rëndësishme ekonomike.

Shumë evropianë janë zemëruar me përpjekjet e qeverive të tyre për të shkurtuar pagat dhe pensionet, ndërsa po rriten taksat në përpjekje për të balancuar buxhetet.
Zemërimi i publikut është njëri prej shumë faktorëve që i kufizojnë drejtuesit të zgjidhin problemet ekonomike në Evropë dhe gjetkë.

Ndërsa drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore takohen, shumë ekonomistë thonë se problemet e Evropës janë kërcënimi më i madh i ekonomisë globale.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së Christine Lagarde thotë se shkurtimet e buxhetit duhet të bëhen gradualisht dhe të balancohen me shpenzimet e hartuara për të nxitur rritjen dhe vendet e punës.

"Duhet të përqëndrohemi tek masat shtrënguese, por gjithashtu tek rritja ekonomike, pasi besojmë se këto dy faktorë nuk duhet të përjashtojnë njëri-tjetrin. "

Një studim i Bankës Botërore thotë se ka nevojë për 600 milionë vende të reja pune deri në vitin 2020 për të punësuar forcën e re punëtore. Studimi thotë se ndërmarrjet private krijojnë shumicën e vendeve të punës, por presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim thotë se qeveria mund të ndihmojë, duke siguruar një infrastrukturë të mirë dhe rregullore të qarta.

“Qeveritë mund të bëjnë shumë për të krijuar mjedisin, ku veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të mund të krijojnë vende pune për të cilat njerëzit kanë nevojë."

Zyrtarë të lartë financiarë nga e gjithë bota janë takuar shpesh gjatë viteve të fundit për të zgjidhur çështje të vështira. Disa ekonomistë fajësojnë gabimet e kompanive financiare se shkaktuan krizën ekonomike që la miliona njerëz pa punë. Shumë ekspertë thonë se rregulloret janë përmirësuar duke u kërkuar bankave, përshembull të kenë rezerva më të mëdha në para.

Por Daniel Hanson i Institutit American Enterprise në Uashington thotë se vështirësitë e borxhit të Evropës po e ngadalësojnë procesin.

“Europa po bën përparim në përmirësimin e rregulloreve, por po e bën këtë në mesin e krizës më të madhe të kreditimit në historinë e tyre.”

Një ekspert thotë se lehtësimi i problemeve të Evropës do të jetë një territor i ri sfidues për FMN-në, që ka përvojë të ndihmojë vendet e varfëra.
Profesori i universitetit Tufts Bhaksar Chakravorti pret vetëm një përparim modest nga takimi i FMN-së dhe Bankës Botërore në Tokio. Ai foli përmes Skype-it.

"Takimi e bën topin të lëvizë vetëm pak centrimetra në një fushë ku duhet të shkojë për disa kilometra."

Në një kohë kur bota përballet me rritje të ngadaltë, probleme të borxhit të Evropës, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe probleme të tjera, përparimi modest mund të jetë më e mira që mund të arrihet.
XS
SM
MD
LG