Lidhje

FMN me program të ri mbështetjeje për Kosovën


Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rënë dakord për një marrëveshje të re që do të mundësojë mbështetjen e Kosovës në 20 muajt e ardhshëm me një shumë prej 107 milion eurosh, afërsisht 140 milion dollarë. Kjo marrëveshje e cila duhet të miratohet nga fundi i prillit nga Fondi Monetar shënon një përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe këtij fondi, të cilat pësuan një tronditje vitin e kaluar.

Në qershor të vitit 2011 Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi se ishte ndërprerë marrëveshja e korrikut të vitit 2010 që kishte për qëllim “të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare duke ushtruar kufizime në shpenzime dhe duke rritur depozitat e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës”. Me këtë qëndrim Kosovës ju pamundësua qasja në mbështetjen e premtuar financiare prej 156 milion eurosh nga Fondi monetar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Mospajtimet qenë thelluar për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për shërbyesit civilë deri në 50 për qind. Atëbotë, qeveria arriti një marrëveshje për vëzhgimin e politikave ekonomike të Kosovës për vitin 2011.

Gjatë disa ditëve të kaluara një mision i Fondit monetar ka diskutuar me qeverinë e Kosovës për shkallën e disiplinës fiskale, e cila sipas shefit të misionit Johannes Wiegand, është përmirësuar dukshëm.

“Kjo do të thotë se Misioni dhe qeveria e Kosovës janë marrë vesh për një program mbështetjeje gjatë 20 muajve të ardhshëm me një shumë prej 107 milion eurosh”, tha zoti Wiegand, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar pritet nga fundi i prillit, ndërsa Kosova duhet të plotësojë disa kushte që lidhen me disiplinën fiskale. Ai tha se misioni i tij parashikon një rritje ekonomike prej 3.8 për qind gjatë kij viti në Kosovë, ndryshe nga planifikimet e qeverisë së Kosovë për një rritje prej 5 për qind.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha se ndryshimi në parashikime është rrjedhojë e ndikimeve të krizës ekonomike në Evropë.

“Mirëpo, ne kemi rënë dakord që të shkojmë me këtë rritje ekonomike, shumë të kujdesshme dhe shpresojmë që në fund të vitit kur të raportojmë, rritja ekonomike do të jetë atje ku ne e kemi vlerësuar. Ne kemi dashur që të jemi të kujdesshëm në parashikimet tona sa i përket rritjes ekonomike edhe pse siç e tha me shumë të drejtë zoti Wiegand kjo është një prej shkallëve apo normës së rritjes ekonomike më të lart në Evropë. Ne e dimë që e kemi bazën e ultë, mirëpo megjithatë ne shpresojmë që kjo rritje ekonomike në fund të vitit do të jetë edhe më e lart se sa kjo e projektuar. Është një parashikim i yni i kujdesshëm”, tha ministri Hamza.

Marrëveshja e re vlerësohet me rëndësi për nxitjen e sigurimit të fondeve nga Bashkimi Evropian dhe dhuruesit tjerë në një periudhë kur Kosova përballet me vështirësi për të mbushur buxhetin e saj prej 1 .5 miliardë eurosh.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e këtij fondi dhe Bankës Botërore, me gjithë kundërshtimet e Serbisë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e shtetit të ri. Anëtarësimi qe vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë, ndërkaq që ndryshimi i kësaj situate, sipas ekspertëve mund të ndodhë vetëm më një rritje ekonomike prej më shumë se 7 për qind.

XS
SM
MD
LG