Lidhje

Fondet për programin e ndihmave të grave e fëmijët mund të pakësohen


Fondet për programin e ndihmave të grave e fëmijët mund të pakësohen
Fondet për programin e ndihmave të grave e fëmijët mund të pakësohen

Në Shtetet e Bashkuara po shtohet presioni politik për pakësimin e deficitit buxhetor. Mes programeve që ndeshen me shkurtime është edhe ai i ndihmave për ushqimin e grave dhe fëmijëve, që njihet me termin WIC. Kohët e fundit në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët u miratua një ligj, i cili i pakëson me rreth 11 për qind fondet për këtë program. Përkrahësit e luftës kundër urisë thonë se kjo do të thotë që të priten ndihmat për qindra mijëra gra dhe fëmijë.

6-vjeçarja Xhajla nuk është e lumtur. Por pas vizitës tek mjeku del se ajo është mirë me shëndet. Nëna e saj, Jessica Proctor, e çoi në qendrën shëndetësore “Mary Center”, ku vajzën e peshuan, i matën gjatësinë dhe i bënë një vlerësim të përgjithshëm të shëndetit të saj. Qendra siguron shërbime shëndetësore dhe sociale për komunitetin e Washingtonit me të ardhura të pakta. Gratë me foshnjet e tyre po ashtu vijnë këtu për kontrolle dhe kujdes të rregullt shëndetësor.

"Unë u përfshiva në programin WIC kur isha 3 muajshe shtatzënë. Më parë haja pulë të skuqur. Programi WIC më ndihmoi të filloj një dietë të shëndetshme, që të përfshij në ushqyerjen time të ditës fruta dhe perime. Më parë nuk haja ushqime të shëndetshme, si qumësht, djathë, që janë të nevojshme për ushqyerjen e fëmijës".

Nënat pjesëmarrëse në programin WIC i mësojnë si të ushqehen gjatë shtatzanisë, në mënyrë që ato ta ushqejnë siç duhet fëmijën në barkun e tyre. Dhe me të lindur fëmija, personeli i qendrës u mëson nënave të reja si të ushqejnë me gji foshnjet, si dhe mënyrën e ushqyerjes së tyre dhe fëmijëve. Nënat e përfshira në programin WIC marrin po ashtu kupona me të cilat blejnë vetëm ushqime të shëndetshme.

"Me to ne blejmë qumësht, cereale, fruta dhe perime, lëng frutash dhe bukë. Nganjëherë njerëzit nuk kanë para as për të blerë këto lloj ushqimesh", thotë një nënë.

"Këtu na japin këshilla të vlefshme dhe na orjentojnë si të sillemi sa më mirë me fëmijët", thotë një nënë tjetër.

Por në kushtet kur udhëheqësit në Kongres janë përqëndruar tek kufizimet fiskale, programi WIC është bërë pre e kritikave.

"Aktualisht, kur papunësia ka arritur nivele rekord, dhe kur një pjesë e madhe buxhetit shkon për luftrat ku jemi përfshirë, programit WIC po i pakësohen fondet".

Gazetari Pete Kasperowicz mbuloi debatin kohët e fundit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku u miratua ligji për fondet programit WIC. Ai thotë se republikanët ishin kundër financimit të këtij programi.

Ata e dinë se shuma për këto fonde është qesharake. Nuk duhet mbyllur një program nga i cili përfitojnë gratë, foshnjet dhe fëmijët”. Por ligjvënësit argumentuan se janë dhënë më shumë fonde se sa është e nevojshme.”

Republikanët thonë se programin WIC po përdoret nga një numër më i vogël njerëzish, prandaj edhe fondet për të duhen pakësuar.
Ja si shprehet kongresmeni republikan i Xhorxhas Paul Brown:

"Ne jemi duke shkuar drejt një katastrofe ekonomike si vend, në se vazhdojmë të shpenzojmë para, të cilat nuk i kemi".

Miratimi i ligjit në Dhomën e Përfaqëseusve nuk do të thotë se shkurtimet do të ndodhin. Ligjin duhet ta miratojë edhe Senati që të hyjë në fuqi. Analistët thonë se kjo nuk mund të ndodhë deri në përfundimin e debatit mbi kufirin e borxhit.

Por përkrahësit e luftës kundër urisë vazhdojnë të jenë të shokuar nga masa e Dhomës së Përfaqësuesve. Ata thonë se ushqyerja e foshnjeve, që në perspektivë do të bëheshin të rritur të shëndetshëm është një masë preventive dhe një politikë e efektshme për koston.

Në fillim të muajit, organizata kundër urisë me bazë në SHBA, “Bread for Life”, “Bukë për të jetuar”, mblodhi qindra aktivistë me synimin për të përmirësuar ushqyerjen për gratë shtatzënë dhe foshnjet në mbarë botën. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton flet shpesh për këtë çështje.

"Administrata Obama i ka vënë gratë dhe fëmijët në qendër të përpjekjeve të zhvillimit, përfshi nismën tonë globale për shëndetin".

Po administartorët e programit WIC në Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur të bëjnë më tepër, me më pak fonde. Anëtarja e programit Jessica Proctor u trondit kur dëgjoi se mund të shkurtohen fondet për programin WIC.

"Shpresoj që mos ta shkurtojnë programin WIC. Do të ishte diçka e keqe për shëndetin e nënave dhe foshnjeve".

XS
SM
MD
LG