Lidhje

Fondet e romëve, avokati i popullit kërkon hetim për miliona euro


Fondet e romëve, avokati i popullit kërkon hetim për miliona euro
Fondet e romëve, avokati i popullit kërkon hetim për miliona euro

Avokati i popullit po strehon për të tetën ditë një grup familjesh rome për t’i mbrojtur nga dimri i ftohtë, duke u shpëtuar jetën 35 fëmijëve pa një çati mbi krye. Institucioni po u shërben pa ndërprerje 8 familjeve rome, gjithsej 50 vetë, në një nga sallat e mbledhjeve, duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje të përhershme për pakicat kombëtare në shkallë vendi.

“Pse të mos jetojmë edhe ne si gjithë të tjerët? Pse na vonojnë e na zvarritin kështu? Edhe ne duam që fëmijët tanë të venë në shkollë. Ne duam që të na japin punë të rregullt, që të mos dalim më për të lypur. Ne duam që të jetojmë si gjithë njerëzit. Mjaft kemi vuajtur. Fëmijët i kemi të sëmurë, të ftohur. Të gjithë me ilaçe jemi. Prandaj të marrë masa shteti dhe të mos na hajnë më fondet tona si deri tani” - thotë 23-vjeçarja Xhuliana Mustafai, nënë 3 fëmijëve.

Salla e mbledhjeve ka marrë 42 nëna e fëmijë, ndërsa burrat janë strehuar në një dhomë tjetër ngjitur. Baballarët e këtyre familjeve janë shumë të rinj në moshë dhe nuk kanë asnjë mbështetje. Ata presin me padurim që t’u gjendet një strehim i përshtatshëm, dhe të lirojnë mjediset e punës të institucionit që i mbrojti dhe po kujdeset për ta.

“Deri tani për 8 ditë nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Shpresojmë të marrim sa më shpejt një përgjigje. Janë 35 fëmijë që flejnë në një vend me 8 nënat. Këtu jemi mirë për të ngrënat, por kryesorja është që avokati i popullit na shpëtoi fëmijët nga ngrica. Për këto 8 ditë të ftohta, fëmijët do na kishin vdekur rrugëve pa strehë, nëse nuk do na fuste Brenda avokati i popullit. Tani strehimin dhe zgjidhjen tonë e kërkojmë nga shteti; te shteti kemi shpresë të na strehojë” - thotë 28 vjeçari Paris Lushi, babai 3 fëmijëve.

Ndërkaq shefi i kabinetit të avokatit të popullit, Ervin Karamuça deklaroi sot se ky institucion do të kërkojë hetim të hollësishëm nga KLSH dhe prokuroria për të gjitha projektet vendase dhe të huaja që kanë përdorur fonde të dhuruara për pakicat rome në shuma të konsiderueshme pa sjellë ndonjë përmirësim për jetën e tyre.
“Kjo ngjarje nxori në dritë që me këta njerëz abuzohet edhe financiarisht. Këta njerëz nuk e marrin dot atë që ju jepet, nga donatorët dhe nga shteti shqiptar, sepse nuk mbërrin tek ata. kjo është e lidhur me shoqërinë civile dhe me shoqata të tjera të huaja që punojnë në Shqipëri. Avokati i popullit do të kërkojë një hetim nga Kontrolli i Lartë të Shtetit dhe nga Prokuroria, dhe njëkohësisht do të njoftohen donatorët se çfarë ndodh me fondet që ato dhurojnë në mënyrë që të ato të përdoren dhe të shpërdahen sa më mirë” - tha zoti Karamuça. Avokati i popullit po ashtu do të kërkojë transparencën e një seri projektesh mbi 10, 5 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe dhurues të tjerë ndërkombëtarë, se si zbatohen ato në terren me bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë.
Sipas të dhënave zyrtare, në shqipëri jetojnë rreth 20 mijë qytetarë të komunitetit rom, por veprimtarët e kësaj fushe mendojnë se numri i tyre është më i madh, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk regjistrohen në gjendjen civile brez pas brezi, duke i mohuar vetes një seri të drejtash njerëzore dhe kombëtare

XS
SM
MD
LG