Lidhje

Forcat amerikane largohen nga Afganistani deri më 11 shtator


Të gjitha forcat amerikane do të tërhiqen nga Afganistani deri në 11 shtator - në përvjetorin e 20-të të sulmeve terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit, njoftoi të martën një zyrtar i lartë amerikan.

Presidenti Joe Biden "e ka marrë vendimin dhe do të njoftojë nesër se mënyra më e mirë për të avancuar interesat amerikane është dhënia fund e luftës në Afganistan pas 20 vitesh, në mënyrë që të trajtojmë panoramën e rreziqeve globale ashtu siç ekzistojnë sot, dhe jo siç ishin dy dekada më parë", tha zyrtari.

Megjithë këtë vendim, 3000 trupa amerikane do të mbahen në terren në Afganistan përtej afatit të 1 majit për të cilin ishte rënë dakord në një marrëveshje që Uashingtoni negocioi vitin e kaluar me talibanët.

"Ne e kemi ditur prej kohësh se forca ushtarake nuk do të zgjidhte sfidat e brendshme politike të Afganistanit, nuk do t'i jepte fund konfliktit të brendshëm në Afganistan. Kështu pra, ne po u japim fund operacioneve tona ushtarake, ndërsa përqendrojmë përpjekjet tona në mbështetjen diplomatike të procesit të paqes në vazhdim", tha zyrtari i lartë amerikan.

Qeveria e Turqisë njoftoi të martën se do të organizojë një konferencë paqeje 10-ditore mes palëve ndërluftuese në Afganistan, duke filluar nga 24 prilli. Ky njoftim i befasishëm erdhi pasi një zëdhënës i talibanëve një ditë më parë tha se grupi i tij nuk do të merrte pjesë në një konferencë paqeje që ishte planifikuar paraprakisht të zhvillohej në Turqi më vonë këtë javë.

"Konferenca do të përqëndrohet tek ndihma për palët negociuese që të arrijnë disa parime themelore të përbashkëta që pasqyrojnë një vizion të dakorduar për Afganistanin e ardhshëm, një plan për një zgjidhje politike të ardhshme dhe një fund të konfliktit", u njoftua nga ministria e jashtme turke.

Lajmi për vendimin e tërheqjes së trupave nga Presidenti Biden vjen në të njëjtën ditë kur një raport pesimist i zbulimit amerikan parashikoi se nuk ka gjasa për një marrëveshje paqeje deri vitin e ardhshëm dhe se talibanët - armiq të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Afganistanit - do të bëjnë përparime në fushëbetejë.

"Qeveria afgane do të vështirësohet përballë talibanëve nëse koalicioni tërheq mbështetjen", thuhet në versionit e paklasifikuar të raportit të qarkulluar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.

"Pyetja e vërtetë tani është nëse pas tërheqjes së forcave të saj, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë qeverinë e Kabulit dhe popullin afgan në rezistencën ndaj talibanëve", i tha Zërit të Amerikës Husain Haqqani, ish-ambasadori i Pakistanit në Shtetet e Bashkuara.

"Talibanët nuk kanë treguar interes për paqen dhe procesi i Doha-s vetëm përforcoi besimin e tyre se dëshira e Shteteve të Bashkuara për t'u larguar nga Afganistani i tejkaloi shqetësimet për të ardhmen e këtij vendi", vuri në dukje zoti Haqqani, drejtor për Azinë Jugore dhe Qendrore në Institutin Hudson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG