Lidhje

Formohet juria gjyqësore për padinë ndaj Ghislaine Maxwell për trafikim seksual


Në këtë skicë shfaqet Ghislaine Maxwell ndërsa hyn në sallën e gjyqit e shoqëruar nga marshallët amerikanë (29 nëntor 2021)
Në këtë skicë shfaqet Ghislaine Maxwell ndërsa hyn në sallën e gjyqit e shoqëruar nga marshallët amerikanë (29 nëntor 2021)

NJU JORK - Dy vjet pasi Jeffrey Epstein vrau veten në burg, një juri gjyqësore u përzgjodh të hënën në qytetin e Nju Jorkut për të vendosur rreth një pikëpyetjeje thelbësore në këtë çështje trafikimi seksual - nëse shoqja e tij e hershme, Ghislaine Maxwell, ishte thjesht e përdorur nga zoti Epstein, apo nëse ajo ishte një bashkëpunëtore e tij.

Dymbëdhjetë anëtarë të jurisë dhe gjashtë anëtarë rezervë do të dëgjojnë çështjen e zonjës Maxwell, duke filluar me deklaratat fillestare që mbahen sot. Ata u përzgjodhën nga 40-60 anëtarë të mundshëm të jurisë që kaluan fazën e marrjes në pyetje nga palët.

Zonja Maxwell, e cila dikur kishte edhe marrëdhënie intime me financierin Epstein, akuzohet se ka vepruar si ndihmësja kryesore e zotit Epstein, duke rekrutuar dhe përpunuar vajzat që do të abuzoheshin prej tij. Akuzat ndaj saj lindën prej deklaratave të katër grave që thonë se ajo dhe zoti Epstein i shfrytëzuan që kur ato ishin adoleshente, gjatë periudhës 1994 - 2004.

Prokurorët thonë se kanë prova që zonja Maxwell e dinte se viktimat, ndër to edhe një 14-vjeçare, ishin nën moshën e lejuar me ligj për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe se zonja Maxwell mundësonte udhëtimet ndërmjet shtëpive të zoti Epstein, si p.sh. tek vila e tij në Palm Beach, Florida, apo shtëpia e tij luksoze në Manhattan, si dhe në rezidencat e tjera në Santa Fe, Nju Meksiko, apo edhe në Londër.

Zoti Epstein vrau veten në një burg federal në Manhattan në gusht 2019, një muaj pasi u arrestua me akuza për trafikim seksual. Autoritetet ngritën akuza ndaj zonjës Maxwell në korrik 2020, pasi arritën ta gjejnë në një shtëpi me vlerë 1 milion dollarë në Nju Hempshër, ku ajo ishte izoluar gjatë pandemisë së koronavirusit.

Zonja Maxwell ka deklaruar se është e pafajshme dhe mohon me forcë të ketë bërë ndonjë shkelje. Britanikja 59-vjeçare, e mirënjohur në aktivitetet dhe rrethet sociale, është mbajtur në burg në Bruklin, të Nju Jorkut, që nga momenti i arrestimit. Ajo i ka quajtur akuzat ndaj saj "krejtësisht shpifje". Avokatët e saj dhe familja thonë se ajo ishte vetëm një vegël e zotit Epstein dhe se tashmë po "bëhet theror" për të kënaqur dëshirën e publikut për të parë se dikush po vuan pasojat e krimeve të tij.

Zonja Maxwell studioi në Universitetin e Oksfordit dhe është nga një familje e pasur. Ajo është e bija e manjatit britanik të medias, Robert Maxwell, i cili vdiq në vitin 1991 pasi ra nga jahti i tij "Lady Ghislaine", pranë ishujve Canary. Robert Maxwell, ndër pasuritë e të cilit në atë kohë radhitej edhe gazeta New York Daily News, po përballej me akuza se kishte shfrytëzuar ilegalisht fondet e pensioneve të biznesit të tij.

Ghislaine Maxwell ka shtetësi amerikane, britanike dhe franceze. Asaj iu mohua disa herë kërkesa për t'u lënë e lirë me kusht ndërsa përgatitej procesi gjyqësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG