Lidhje

Francë, shuplaka nuk ndal udhëtimin e Presidentit Macron


Presidenti francez Emmanuel Macron

Një zëdhënës i Presidentit francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se incidenti gjatë të cilit një burrë goditi me shuplakë presidentin nuk do ta pengonte turneun e tij kombëtar.

Presidenti Macron u qëllua me shuplakë të martën ndërsa shtrëngonte duart me njerëzit e vendosur pas një barriere në një qytet të vogël në juglindje të Francës. Personi në fjalë u mor në paraburgim, dhe pasi shërbimi i sigurisë fillimisht e tërhoqi presidentin nga vendi i ngjarjes, ai vazhdoi të shtrëngonte duart dhe të fliste me njerëzit pak kohë më vonë.

Në një konferencë shtypi në Paris të mërkurën, zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Attal u tha gazetarëve se ndërsa shërbimi i sigurisë së presidentit vazhdon të jetë po aq vigjilent si gjithmonë, asnjë gjendje gatishmërie të veçantë nuk ishte vendosur pas shuplakës.

Zoti Attal tha se Presidenti Macron do të vazhdonte udhëtimet në vend sepse në këtë kohë, ndërsa pandemia COVID-19 po mbaron dhe kontakti njerëzor është kufizuar për kaq shumë kohë, nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për të "matur pulsin" e vendit.

"Nuk ka asgjë më të përshtatshme sesa kontakti i drejtpërdrejtë dhe shkëmbimet e drejtpërdrejta me francezët. Kështu që padyshim që [Presidenti Macron] do ta vazhdojë këtë në javët e ardhshme", tha zoti Attal.

Duke folur për incidentin gjatë një takimi të Kabinetit më herët të mërkurën, Presidenti Macron tha se çdo veprim i dhunës fizike duhet të merret seriozisht.

“Ka budallallëk. Dhe kur budallallëku vjen me dhunë, kjo është e papranueshme. Kjo është diçka tjetër. Ne nuk mund ta ngatërrojmë atë me diçka tjetër”, tha presidenti francez.

Zoti Macron gjithashtu tha se ai mendonte se njerëzit ishin të lodhur nga pandemia dhe se megjithëse nuk kishte kurrë një justifikim për përdorimin e dhunës, ai shpresonte që mediat të mos e theksonin shumë incidentin. Ai mendon se ishte një incident i izoluar dhe duhet të lihej i tillë.

Ndërkohë, agjencia franceze e lajmeve, Agence France-Presse, raportoi se sulmuesi i Presidentit Macron ishte identifikuar vetëm si Damien T, 28 vjeç. Ai mbahet në paraburgim policor dhe pritet të akuzohet për sulm ndaj një figure publike, akuzë e cila mbart një dënim maksimal prej tre vitesh burgim. Policia tha se ai nuk kishte historik penal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG