Lidhje

Francë, arrestohen 6 persona me lidhje me njërin nga terrorisët


Policia franceze ka arrestuar gjashtë persona të cilët kishin lidhje me njërin nga terroristët që mori pjesë në sulmet e së premtes në Paris. Në mesin e të ndaluarve ishin tre të afërm të njërit prej terroristëve.

Policia franceze tha sot se një makinë e përdorur nga persona të armatosur të cilët qëlluan mbi njerëzit në restorante gjatë sulmeve të së premtes u gjet në lagjen Montreuil në Parisin lindor.

Sot Franca është në ditën e dytë të një zie kombëtare, që pasoi sulmet terroriste në Paris, në të cilat u vranë të paktën 129 persona. Më shumë se 300 të tjerë u plagosën, 99 prej tyre në gjendje kritike.

Njerëzit ngushëlluan njëri-tjetrin në një vigjilje mbrëmë vonë në kryeqytetin francez, ndërsa kujtonin viktimat.

Chloe Guy, banor i Parisit:

"Kemi rastin për të treguar solidaritetin që e kemi patur gjithmonë. Për t’u siguruar se ne nuk e braktisim njëri-tjetrin, nuk paralizohemi nga frika ose paniku dhe nuk veprojmë në mënyrë arbitrare. Ne duhet të tregojmë se jemi të fortë".

Prokurori i Parisit, Francois Molins tha se shtatë sulmuesit janë vrarë gjatë sulmeve.

Presidenti francez Francois Hollande tha se sulmet, për të cilat Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë, janë një "akt lufte" kundër vendit të tij, dhe se ekziston rreziku që terroristët të planifikojnë sulme të tjera.

Alain Joyandet, anëtar i Parlamentit francez:

"Nëse ne heqim dorë, kjo do të thotë se ata fitojnë. Kështu që jeta duhet të vazhdojë, Republika duhet të vazhdojë. Ne duhet të sigurohemi që të ketë më shumë dashuri në këtë shoqërinë tonë".

Një zyrtar francez i kundërterrorizmit tha se autoritetet janë ende duke u përpjekur të kuptojnë nëse sulmuesit që mbetën të vrarë ishin banorë francezë. Ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar për të mbrojtur vendin nga dhuna e mëtejshme.

Dje, policia në Belgjikë arrestoi disa persona gjatë kontrolleve në një lagje të Brukselit.

Zyra e prokurorisë belge tha se një makinë e marrë me qira në Belgjikë është gjetur pranë sallës së koncerteve Bataclan në Paris, ku u vranë 89 njerëz.

XS
SM
MD
LG