Lidhje

Francë, partitë e majta kryesojnë në zgjedhjet parlamentare


Rezultatet e anketave pas votimit tregojnë fituese partitë e majta me më shumë se 40 për qind të 577 vendeve të Asamblesë Kombëtare

Sondazhet pas votimit në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë tregojnë se Partia Socialiste e presidentit Francois Hollande dhe aleatët e tij janë duke fituar një numër më të madh vendesh në dhomën e ulët në krahasim me kundërshtarët e tyre.
Rezultatet e anketave pas votimit tregonin fituese partitë e majta me më shumë se 40 për qind të 577 vendeve të Asamblesë Kombëtare.

“Mendoj se dje francezët donin të jepnin një sinjal besimi për presidentin Francois Hollande, lidhur me ndryshimet që ai dhe qeveria e tij tashmë kanë filluar të zbatojnë. Ata donin t’i jepnin atij mjetet për të vepruar. Dhe kjo është gjëja mbi të cilën duhet të këmbëngulim. Ne kemi nevojë për një shumicë të fortë për të vazhduar punën lidhur me punësimin, rritjen, drejtësinë, dhe rimëkëmbjen.”

Partia Konservatore UMP e ish-Presidentit Nikolas Sarkozi fitoi rreth 35 për qind të votave, ndërsa Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme mori pak më shumë se 13 për qind.

Analistët thonë se kjo do të lejojë zotin Hollande të miratojë masat që ai shpreson se do të ndihmojnë në uljen e papunësinë dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë së dytë më të madhe të eurozonës.

“Mendoj se përshtypja kryesore është që nuk ka shumë të papritura në rezultatin e këtij raundi të parë, po të kemi parasysh atë që unë them se ishte një fushatë e plogët. Ky rezultat mund të themi se ishte ishte një rezultat normal për një president normal.”

Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e së dielës u njoftua të ishte rreth 48 për qind, pak më e ulët se niveli 49 për qind i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2007.
Një raund i dytë dhe përfundimtar votimi është caktuar për në datë 17 qershor.
Socialistët dhe aleatët e tyre kontrollojnë edhe Senatin, dhomën e lartë të parlamentit francez.
XS
SM
MD
LG