Lidhje

Franca: Qeveria kreu sulmet kimike në Siri


Franca publikoi dje një raport zbulimi, ku regjimi i Sirisë akuzohet për përdorimin e armëve kimike, akuzë kjo që përputhet me pretendime të ngjashme të bëra nga Shtetet e Bashkuara. Një ekspert francez i çështjeve të jashtme tha sot se raportet e zbulimit, që e akuzojnë regjimin sirian për kryerjen e sulmeve me agjentë kimikë afër Damaskut më 21 gusht, ishin ‘bindëse’.

Pas publikimit të raportit, Kryeministri francez, Zhan-Mark Ejroh tha se Franca është e vendosur të marrë masa kundër përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Bashar al-Assadit për ta bindur atë që të mos i përdorë ato përsëri.

"Provat tregojnë fare qartë se u përdorën sasi të mëdha armësh kimike dhe se mjetet që u përdorën për të shpërndarë këta agjentë kimikë nuk zotëroheshin nga rebelët dhe se armët e përdorura ndodheshin në zonat e kontrolluara nga qevria dhe kishin objektiv zonat e kontrolluara nga kryengritësit, prandaj nuk ka asnjë dyshim se cila palë i ka kryer sulmet me armë kimike", tha Francois Eisburg, këshilltar i posaçëm në Fondacionin për Kërkime Strategjike.

Për ekspertin këto prova ishin tepër bindëse.

Në një intervistë me gazetën franceze, Le Figaro, Presidenti al-Assad u citua të ketë thënë se Siria u ka bërë sfidë Shteteve të Bashkuara dhe Francës që të japin provat, të cilat mbështesin akuzat e tyre, por udhëheqësit e të dy vendeve nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë.

Presidenti francez Francois Hollande dhe presidenti amerikan Barack Obama kanë qënë dy udhëheqësit botërorë që kanë folur më hapur për ndërhyrje ushtarake kundër regjimit sirian.

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë prova se sulmet u kryen nga regjimi i zotit Assad, të cilat sipas Uashingtonit shkaktuan të paktën 1,429 të vdekur, mes tyre më shumë se 400 fëmijë. Këto shifra janë shumë më të larta se sa numri i të vdekurve prej 355 vetash, që ka dhënë grupi i ndihmave Mjekët pa Kufij.

Qeveria siriane i mohon këto akuza, madje fajëson luftëtarët e opozitës.

Ndërkohë në rrugët e Parisit, disa kalimtarë treguan fare pak entuziazëm rreth mundësisë që Franca të ndërmarrë sulme ndëshkuese ndaj Sirisë.
"Shtetet e Bashkuara u zbrapsën, po ashtu edhe Anglia. Nuk di nëse Franca duhet të veprojë e vetme në Siri", thotë 46 vjeçari Lorenz Golemi.

Raporti francez nuk jep informacione specifike se cilat agjenci ishin angazhuar në zbulimin e të dhënave dhe se si u grumbulluan këto të dhëna, me përjashtim të përmendjes së vidiove të njerzve të vrarë ose të plagosur, përllogaritjet e mjekëve dhe "vlerësime të pavarura" si grupi i ndihmave me bazë në Paris, Mjekët pa Kufij, 3 ditë pas sulmit të 21 gushtit.
XS
SM
MD
LG