Lidhje

Frankfurt, çaktivizohet bomba e Luftës II Botërore


60 mijë persona u evakuan në Frankfurt
60 mijë persona u evakuan në Frankfurt

Ekspertët gjermanë çaktivizuan me sukses një bombë masive nga Lufta e Dytë Botërore në qytetin e Frankfurtit ditën e dielë. Paraprakisht ishin evakuar 65 mijë banorë të një zone me rreze prej 1.5 kilometrash të rrethuar nga policia.

Bomba e kapacitetit të lartë, e njohur me emërtimin “Blockbuster”, ishte një nga mijëra bombat e hedhura mbi Gjermani nga Forcat Ajrore Britanike gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.

“Gjithçka shkoi mirë. Kemi punuar këtu që në orën 6 e gjysëm të mëngjesit dhe presioni ishte i lartë. Por, nuk pati probleme gjatë procesit”, informoi eksperti i çaktivizimit të bombave, Dieter Schwetzler.

Bombat britanike të Luftës së Dytë Botërore janë të vështira dhe të rrezikshme për t’u çaktivizuar.

“Hoqëm fillimisht kapsollën dhe detonatorët, të cilët janë të rrezikshëm në rast të ndonjë reagimi kimik të mundshëm që mund ta shpërthejë bombën”, shpjegoi eskperti Rene Bennert.

Bomba britanike me peshë 1.4 tonë u gjet javën e kaluar në një kantier ndërtimi.

Helikopterë me paisje gjurmimi studiuan të gjithë zonën përpara se ekspertët të fillonin punën.

Dje, policia rrethoi një zonë prej 1.5 kilometrash përqark bombës dhe u krye evakuimi më i madh në Gjermani, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndër të evakuarit ishin edhe mbi 100 pacientë nga dy spitale, ndër ta edhe të shtruar në pavionet e reanimacionit.

Ekspertët patën paralajmëruar se nëse do të shpërthente, bomba do të kishte shkatërruar një rrugë të tërë dhe do të kishte dëmtuar gjerësisht pjesën perëndimore të qytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG