Lidhje

Freedom House: Vazhdon rënia e lirisë në botë


2017-ta ishte viti i 12-të radhazi që u shoqërua me rënie të lirisë globale, sipas Raportit Botëror të organizatës “Freedom House”. Ekspertët thonë se Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut ishin ndër vendet që ndikuan duke rritur kërcënimin për stabilitetin global, por shtojnë se ka shenja përparimi në të gjitha rajonet, përfshirë Amerikën Latine dhe Afrikën. Korrespondentja Elizabeth Chernoff njofton për përfundimet e raportit.

Demokracia po sulmohet dhe kufizohet thuajse në çdo cep të globit. Në këtë përfundim arrin raporti i organizatës Freedom House që analizon të drejtat civile dhe liritë demokratike në botë.

Arch Puddington është studiues në “Freedom House”:

“Për të 12-tin vit radhazi, liria shënoi rënie në mbarë globin. Me këtë nënkuptojmë se gjatë 2017 kishte më shumë vende që pësuan rënie se sa përmirësim të lirisë”.

Këtu përfshihen Shtetet e Bashkuara, ku hetimet lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 kanë dëmtuar imazhin e Amerikës si model i demokracisë.

Fushata ruse e dizinformimit që shoqëroi zgjedhjet në vende të ndryshme evropiane u citua si faktor që minoi normat demokratike në botë.

Në vende si Kina ekspertët shohin një prirje të intensifikimit të shtypjes dhe censurës nën udhëheqësin Shi Gjinping.

Eksodi masiv i myslimanëve rohinga nga shteti Rahajn në Mianmar për në Bangladesh është dëshmi e një krize humanitare që shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara po e cilësojnë si spastrim etnik.

Pas rrëzimit të Presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabe, ekspertët shprehën optimizëm të matur lidhur me të ardhmen politike të këtij vendi:

“Zimbabveja pësoi rënie në analizën tonë për 2017-tën, kjo në masë të madhe pasi Presidenti Mugabe u largua nga posti me mjete jodemokratike dhe u zëvendësua përmes një procesi jodemokratik. Shpresojmë se do të përmbushen angazhimet që janë marrë për reforma dhe liberalizime si dhe për zgjedhje demokratike vitin e ardhshëm”, tha zoti Puddington.

Shenja përparimi shihen në Amerikën Jugore dhe Qendrore, përfshirë në Meksikë, ku votuesit do të zgjedhin presidentin e ri këtë vit:

“Një nga kandidatët në zgjedhje ka prirje populiste dhe nëse fiton mund të shohim ndryshime interesante në politikat e Meksikës,” thotë zoti Puddington.

Ekspertët e “Freedom House” thonë se megjithë vatrat e konfliktit në Irak dhe Afganistan, ata shpresojnë të shohin shenja përparimi në proceset e sivjetshme zgjedhore në këto vende.

Shenja të pjekurisë politike u vërejtën edhe në Korenë e Jugut dhe Tajvan, megjithë zhvillimet shqetësuese tek fqinjët e tyre, Kinë dhe Kore e Veriut.

“Fakti që këto vende kanë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike që po punojnë për reforma politike është në vetvete zhvillim pozitiv,” thotë eksperti i “Freedom House” Arch Puddington.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG