Lidhje

Epidemia e fruthit në Minesota

  • Carol Pearson

Fruthi u zhduk në Shtetet e Bashkuara para 17 vjetësh. Megjithatë epidemi të kësaj sëmundjeje ndodhin kur dikush që ka virusin, vjen nga një vend ku fruthi nuk është eliminuar. Shteti i Minesotës po përballet me shpërthimin më të madh të epidemisë së fruthit që nga viti 1990 dhe zyrtarët e shëndetësisë të atij shteti shpresojnë që tani epidemia të jetë drejt fundit. 78 vetë u prekën nga sëmundja dhe afro një e treta u shtruan në spital.

Anëtarët e komunitetit somalezo-amerikan në Minesota, janë të lidhur ngushtë. Dikur, ata kishin përqindjen më të lartë të vaksinimit ndaj fruthit se çdo grup tjetër në këtë shtet. Deri kur dëgjuan këtë mesazh:

"Autizmi shkaktohet nga vaksinat që u bëhen fëmijëve nën tre vjeç”.

Kjo solli si rezultat rënien drastike të numrit të fëmijëve somalezo-amerikanë, që vaksinoheshin për fruthin, shytat dhe rubeolën.

"Do të thoja që pothuajse e gjithë përgjegjësia bie tek lëvizja anti-vaksinë dhe arsyeja është keqinformimi dhe të pavërtetat e përhapura për lidhjen mes vaksinën për këto tre sëmundje dhe autizmit, që nuk ekziston dhe shkenca ka vërtetuar që nuk është e vërtetë”.

Patsy Stinchfield ka qenë në vijën e parë të luftës kundër shpërthimit të fruthit. Doktoresha Stinchfield thotë se somalezo-amerikanët u mobilizuan me shpejtësi, duke mbajtur takime në komunitet, duke sjellë mjekë të flisnin për sigurinë dhe efektivitetin e vakisnës së fruthit. Pastaj ndryshuan krejtësisht qëndrim, duke i dërguar fëmijët të vaksinoheshin.

"Që kur shpërtheu epidemia, u përhap mesazhi që vaksina ndaj fruthit, shytave dhe rubeolës, është e sigurt. Është efektive dhe ndërsa mesatarisht në një javë në distriktin Hennepin pranë Mineapolisit, bëhen 500 vaksinime të tilla, për tri javë rresht u bënë 3 mijë, çka do të thotë një reagim i jashtëzakonshëm”.

Zonja Stinchfield tha se komuniteti u gjend i papërgatitur nga përhapja e sëmundjes.

"Atyre nuk u shkoi mendja se në Shtetet e Bashkuara mund të binte fruthi, prandaj u frikësuan më shumë nga mundësia e autizmit. Por tani kjo ka ndryshuar sepse është rritur shqetësimi për fruthin, sepse familjarët e fëmijëve e njohin sëmundjen, pasi kanë pasur të afërm që u kanë vdekur nga fruthi në Somali."

Për fat të mirë, askush që u prek nga fruthi në Minesota, nuk pati ndërlikime serioze. Zyrtarët e shtetit shpresojnë që në fund të korrikut të deklarojnë se epidemia është çrrënjosur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG