Lidhje

Përpjekje për të restauruar Fshatin Olimpik të Berlinit


Ndërkohë që vëmendja është kthyer në trashëgiminë që kanë lënë Lojrat Olimpike në Londër, një qytet tjetër që ka organizuar Lojrat Olimpike ka krijuar një pasqyrë të veçant të historisë së shekullit të 20-të. Adolf Hitler u përpoq t’i kthente Lojrat Olimpike të Berlinit më 1936 në një mjet të propagandës naziste. Shtatëdhjetë e gjashtë vjet pasi atletët shkelën stadiumet e tij, fshati olimpik në periferi të Berlinit vazhdon mbijetojë.

Lojrat Olimpike në Berlin më 1936 i dhanë Adolf Hitlerit një platform ideale për propagandën e tij naziste.

Filmi i regjizorit të famshëm Leni Riefenstahl, Olympia, përjetësoi garat sportive dhe kontekstin politik të lorjave. 76 vjet më vonë disa aktivistë po përpiqen ta rimëkëmbin një objektet më të shquara të Lojrave.

Në periferi të Berlinit një pjesë e fshatit olimpik ku kanë qëndruar dhe janë stërvitur 3 mijë e 878 atletë, ende mbijeton. Jens Becker punon me Fondacionin Deutsche Kredit Bank e cila është duke financuar shumicën e punës për restaurimin e fshatit olimpik. Ai i dha mundësinë Zërit të Amerikës të shikojë punimet, përfshirë pishinën, ku vetëm rinovimet e jashtme kapin vlerën 2,7 milion dollarë.

“Mendoj se Fshati Olimpik nuk është shumë i njohur në Gjermani. Ne e kemi mbajtur atë sekret. Kjo është një situatë e mirë, sepse kur njerëzit vijnë këtu, ata habiten që të gjitha këto gjëra ende janë në këmbë pas më shumë 75 vjetësh”.

Një ndërtesë në bllokun ku ka qëndruar sprinteri amerikan Jessie Owens është restauruar plotësisht. Ekspozita tregon se si zezaku nga Alabama fitoi katër medalje të arta, duke i shkatërruar shpresat e Adolf Hitlerit se Lojërat Olimpike do të bëhen një platform për të treguar superioritetin e supozuar të racës së bardhë.

Një letër nga një tifoz, e vendosur në ekspozitën brenda kësaj ndërtese, i kërkon zotit Owens të mos pranojë medaljen nga siç thoshte ai “duart e njollosura me gjak”. Jessie Owens nuk e kishte parë letrën sepse ajo ishte sekuestruar nga policia sekrete gjermane, Gestapo.

Në palestër qëndron një kokë e kalit që ishte përdorur nga atletët.

Çdo ditë dhjetëra turistë gjermanë vizitojnë këtë qendër. Grupe të ndryshme të shkollave lokale vijnë këtu për të mësuar historinë e vendit të tyre.

“Ne gjithmonë përpiqemi të paraqesim subjektin brenda këtyre ekspozitave, sepse ky u quajt fshat i paqes, por në të vërtetë propaganda naziste nuk ndaloi në dyert e fshatit”.

Ka pasur shenja të hershme të militarizmit. Një mural i gdhendur në teatrin e fshatit tregon ushtarët gjermanë duke marshuar.

“Kjo ishte hera e parë që ata vendosën të ndërtonin një fshat olimpik, i cili më vonë do të përdorej si garnizon ushtrak. Por, në të vërtet atletët qëndruan në objektet më të mira që ata kishin parë në një fshat olimpik”.

Disa ditë pas largimit të atletëve, qindra ushtarë u vendosën në sallën e ushqimit të quajtur “kombet” e cila shërbeu si spital për ushtarët e plagosur gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas vitit 1945 ushtria sovjetike u vendos në këtë objekt dhe ka vënë piktura me propagandë komuniste në mure.

Pas rënies së komunizmit më 1992 ish-fshati olimpik u braktis dhe për një dekadë u la pas dore.

Gradualisht jeta në këtë fshat olimpik ka filluar të kthehet. Punonjësit kanë restauruar qendrën e një fushe atletike. Muajin e ardhshëm do të zhvillohet një turne ku do të paraqiten sportistët gjermanë të cilët sapo janë kthyer nga Londra, pjesë e një përpjekje të vendosur për të ruajtur këtë muze të gjallë të historisë së shekullit të 20-të.
XS
SM
MD
LG