Lidhje

Banka e Shqipërisë lë normën e interesit të pandryshuar


Banka Qendrore e Shqipërisë bëri sot të ditur se ekonomia e vendit ka ngadalësuar rritjen, sepse kthimi i tensioneve në tregjet financiare botërore shtoi pasigurinë për investime në sektorin publik dhe atë privat. Guvernatori Ardian Fullani, deklaroi se norma bazë e interesit do të mbahet e pandryshuar, 4,25 për qind, ndërkohë që ka rënë kërkesa e huaj për biznes dhe është rritur perceptimi i rrezikut për rajonin tonë.

Sipas tij, “shifrat e tremujorit flasin për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik, kërkesa e brendshme dhe e huaj mbeten te dobëta. Konsumi privat u ngadalësua, importi për konsum ka rënë, të ardhurat nga taksa tvsh janë ulur. Investimet në vend po ecin ngadalë. Ulja e kërkesës për investime të huaja lidhen me pasigurinë afatshkurtër dhe afatmesme të tyre”.

Guvernatori Fullani tha se investimet private janë shtyrë në kohë, ndërsa investimet publike nuk po kryhen. Sipas tij, politikat e kujdesshme buxhetore dhe kontrollimi i inflacionit do të sjellë qëndrueshmëri financiare në një periudhë të mëvonshme. Ai theksoi se rritja ekonomike në tremujorët e ardhshëm pritet të jetë nën nivelet e parashikuara.

“Ndonëse tregjet financiare kanë qenë likuidë dhe të qëndrueshëm, nga ana tjetër, kërkesa për kredi dhe financime e klientëve është ulur, ndërsa u rrit më tej kujdesi i bankave për kredidhënie” - tha zoti Fullani. Banka Qendrore vlerësoi se kontributi i tregjeve të huaja në ekonominë shqiptare është ulur ndjeshëm, dhe eksportet po rriten shumë ngadalë.
XS
SM
MD
LG