Lidhje

Fundi i botës, temë e filmave Strehohu dhe Melankolia


Fundi i botës, temë e filmave Strehohu dhe Melankolia
Fundi i botës, temë e filmave Strehohu dhe Melankolia

Ngjarrje kataklizmike janë peisazhi i dy filmave të errët rreth brishtësisë së psiqikës njerëzore dhe botës ku jetojmë. Filmi i regjizorit Jeff Nichols, “Take Shelter”, ose “Strehohu” përqëndrohet tek Kurtis, një bashkëshort dhe baba i ri, i cili përjeton vizione rreth fundit të botës. Drama e Lars Von Trier me titull “Melankolia” gjithashtu përqëndrohet tek një individ i dobët nga ana emocionale, që nuk mund të përballojë jetën e përditshme, por mirëpret fundin e botës me një durim të paepur. Këto filma u nderuan me çmime në festivalin e filmit në Kanë, madje mund të emërohen edhe për çmimin Oscar këtu në Shtetet e Bashkuara.

Kurtis është një baba dhe bashkëshort i dashur. Ai punon në një minierë rëre në Ohio dhe shpesh i duket sikur dëgjon bubullima stuhie të fuqishme. Stuhi me përmasa shumë të mëdha dhe shkatërrimtare.

Vizioni i tij përkeqsohet, po ashtu edhe gjendja e tij mendore. Ndërsa Kurtis humbet nocionin e realitetit, ai tërhiqet larg njerëzve përreth tij. Ai përqëndrohet tek një gjë që mund ta kontrollojë: Ndërton një strehë nga tornade, ndërsa e shoqja mbetet e zhgënjyer.

Jessica Chastain interpreton Samanthën, e cila shikon të shoqin, që përqëndrohet tek një strehë, ndërsa familja përballet me fatura të mëdha për shkak të gjendjes shëndetsore të vajzës së tyre.

Michael Shannon luan në mënyrë të shkëlqyer rolin e Kurtis, vuajtjet e të cilit në vetmi i bën parandjenjat e tij edhe më të fuqishme. Regjisori Jeff Nichols ndërton një gjendje shpirtërore kërcënuese, duke thurur pa kuptuar botën reale të Kurtis me vizionin e tij.

Spektatori përjeton dilemën e tij. Ngjarja gërshetohet me pasigurinë financiare të ditëve tona, madje nxit fenomene meteorologjike ekstreme të kohëve të fundit për të pasqyruar edhe më mirë parandjenjat e tij.

Në filmin Melankolia, Justine është nuse e re. Natën para të dasmës ajo ka dyshime rreth martesës.

Gaby, nëna e divorcuar e Justine, i njeh mirë vështirësitë e jetës bashkëshortore. Ndoshta është pikërisht cinicizmi i saj që nxit depresionin tek Justine.

Filmi zhvillohet në mes të një dasme elegante. Të afërmit dhe të ftuarit janë të gjithë të pranishëm, por jo Justine.

Atmosfera e qetë e dasmës kthehet në skenën e shkatërrimit të tokës.

Melankolia është një planet i bukur blu që do të përplaset me tokën. Për ironi, me afrimin e fundit të botës, Justine e ruan durimin.

Kirsten Dunst fitoi çmimin e aktores më të mirë në festivalin e filmit të Kanës. Charlotte Gainsbourg luan rolin e motrës së Justine, Claire, dhe Kiefer Sutherland luan Xhonin, kunatin e saj.

Në filmin Melankolia, regjizori Lars Von Trier realizon përplasjen e planeteve si diçka të bukur. Universi pastrohet. Në të dy filmat, shkatërrimi është i pashmangshëm, jeta e njerit është mëshirë dhe pa vlerë.

XS
SM
MD
LG