Lidhje

Fushata ka nisur: Ekonomia në qendër të vëmendjes


Sivjet, si asnjëherë më parë, në krye të fjalimeve dhe debateve politike janë ngjitur tema të prekshme për qytetarët

Partitë kryesore politike në Tiranë po zhvillojnë një numër përherë e më të madh tubimesh me përkrahës të tyre, duke renditur programet për qeverisjen e premtuar në 4 vitet e ardhshme pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Partia Socialiste e opozitës paraqiti qysh tani disa kandidatë për deputetë përpara votuesve të vet në disa qytete të vogla, ndërsa drejtuesit e saj kryesorë po zhvillojnë takime të mëdha me zgjedhësit, si edhe një seri takimesh më të afërta derë më derë me qytetarët. Po ashtu, Partia Demokratike po zhvillon tubime me votuesit e saj në formate të ndryshme, si studentë, punëtorë apo thjesht qytetarë të një qyteti.

Por ajo që po bie më shumë në sy të analistëve, është fakti se sivjet si asnjëherë më parë, në krye të fjalimeve dhe debateve politike janë ngjitur tema të prekshme për qytetarët si papunësia, ekonomia dhe sistemi shëndetësor. Njëra palë ngre akuza për korrupsion në spitale, ndërsa tjetra rendit serinë e investimeve në rregullimin e infrastrukturës shëndetësore, ndërtim spitalesh të reja dhe shërbime falas për të papunët e moshat e treta.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vizitoi disa spitale për të biseduar me mjekë e pacientë dhe për të shpjeguar platformën e opzitës për reformimin e shëndetësisë. Ndërsa kryeministri dhe kryetari i Partsë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj kritikave me disa përgënjeshtrime mbi shifrat e opozitës për papunësinë, shërbimin shëndetësor dhe trajtimin më të mirë të pensionistëve.

Ndonëse u referohen temave të njëri tjetrit, drejtuesit e partive kryesore theksojnë shpesh besimin e madh që ka secili për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Zoti Berisha thotë se opozita do të humbasë përsëri dhe reformat e PD-së do të vazhdojnë. Ndërsa zoti Rama shprehet po aq i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve, kur thotë se rryma e ndryshimeve po shkon majtas.

Tubimet e tyre elektorale kanë filluar 3 muaj para afatit ligjor, ndërsa këto parti ende nuk kanë mbyllur as listën e kandidatëve për deputetë dhe as aleancat shumëpartiake. Ndërsa KQZ pritet të vendosë sot ende disa rregulla të reja në mënyrën e regjistrimit të koalicioneve partiake për garën zgjedhore të 23 qershorit.
XS
SM
MD
LG