Lidhje

Takimi Obama-Putin më i rëndësishmi në Los Cabos


Obama, G20 Press Europe On Economic Plan
Obama, G20 Press Europe On Economic Plan

Ishte i pari mes dy udhëheqësve që nga rikthimi i zotit Putin në postin e presidentit

Kriza financiare në Europë vazhdoi të ishte në qendër të takimit të nivelit të lartë të G-20s në Los Cabos të Meksikës. Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit e tjerë të G20s po u bëjnë thirrje vendeve evropiane të mos heqin dorë nga planet e rritjes ekonomike.

Mes shkëlqimit të zonës turistike Los Cabos, udhëheqësit e ekonomive më me ndikim të botës shprehën shqetësim për drejtimin që po merr ekonomia në Evropë.

Pas takimit me presidentin meksikan Felipe Kalderon, presidenti Obama bashkoi zërin e tij me vendet që po i bëjnë trysni Evropës të çojë përpara planin për zgjidhjen e krizës bankare dhe të borxheve.

"Një vëmendje e madhe është përqëndruar te Evropa. Tani është koha, siç e kemi diskutuar, që të gjithë së bashku të bëjmë atë që është e nevojshme për të stabilizuar sistemin financiar botëror. "

Një nga këshilltaret e presidentit, nënsekretarja e Thesarit Lael Brainard, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Evropa një përgjigje të shpejtë.

"Ne nuk presim vendime para se udhëheqësit e eurozonës të mbajnë takimin e tyre në fund të qershorit, por presim të shohim një drejtim të qartë që do të dalë nga Los Cabosi."

Zonja Brainard tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që drejtimi do të jetë ai i projekteve të reja për të nxitur rritjen ekonomike evropiane.

Presidenti Obama diskutoi mbi gjendjen me kancelaren gjermane Angela Merkel, dhe ndihmësit thanë se ai u inkurajua nga ajo që dëgjoi rreth përpjekjeve për zgjidhjen e krizëa.

Takimi më i rëndësishëm që pati dje presidenti ishte ai me presidentin rus Vladimir Putin - i pari mes tyre që nga rikthimi i zotit Putin në postin e presidentit.

Takimi u përqendrua te gjakderdhja në Siri, qeveria e së cilës mbështetet nga Rusia, madje edhe armatoset prej saj, sipas disa njoftimeve.

Pas takimit dy orësh mes tyre, ishte e paqartë nëse zoti Obama mundi ta bindë homologun e tij rus për t’i kërkuar Presidentit sirian Bashar al-Asad të heqë dorë nga pushteti.

"Ne jemi dakord se dhuna duhet të ndërpritet dhe duhet të krijohet një proces politik për të parandaluar luftën civile dhe atë lloj gjakderdhjeje të tmerrshme që kemi parë gjatë javëve të fundit."

Presidenti Putin foli shumë pak për Sirinë, duke thënë vetëm se ai dhe zoti Obama kishin gjetur pika të përbashkëta mbi këtë dhe çështje të tjera.

Z. Putin foli shumë pak në konferencën për shtyp, dhe rrallë shihej në sy me zotin Obama.

Ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, e quajti takimin "metodik dhe të përzemërt". Ai hodhi poshtë hamendjet se mimika e zotit Putin nënkuptonte probleme në marrëdhëniet Amerikë-Rusi.

"Unë kam qenë në shumë takime me zotin Putin. Kam parë shumë video të tij. Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme. Kjo është mënyra se si ai duket, se si sillet. Unë nuk shikoj asgjë të veçantë këtu."

Zoti Obama e falënderoi zotin Putin që shërbeu si mikpritës për negociatat në Moskë mbi programin bërthamor të Iranit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për punën e Rusisë në rrjetin që shërben për të furnizuar trupat amerikane në Afganistan.

Presidenti Obama përsëri i bëri thirrje Kongresit amerikan për shfuqizimin e një ligji të vitit 1974 që i mohon Rusisë statusin e lartë tregtar me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kjo do të nxiste tregtinë mes dy vendeve.
XS
SM
MD
LG