Lidhje

Gara presidenciale mes republikanëve në Ilinoi


Kandidati republikan për president, Mitt Romney duket se ka një mbështetje më të madhe se sa rivali i tij kryesor, Rick Santorum në shtetin e Ilinoit, ku sot zhvillohen zgjedhjet paraprake. Sipas anketave të opinionit, zoti Romney gëzon një mbështetje prej 15 për qind më të madhe se zoti Santorum. Ilinoi ka 54 delegatë dhe një fitore për zotin Romney do t’i jepte atij një shtytje të rëndësishme. Ish guvernatori i shtetit Massachusetts ka siguruar tashmë 521 delegatë, krahasuar me 253 delegatë për zotin Santorum. Dy kandidatët e tjerë, Newt Gingrich dhe Ron Paul, janë shumë më mbrapa. Qyteti më i madh në Ilinoi, Çikagoja, ka një bllok të madh votuesish dhe popullata në zonat rurale më konservatore të këtij shteti mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fituesit. Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, ekonomia dhe shpenzimet qeveritare janë çështjet më shqetësuese për votuesit ndërsa ata shkojnë në qendrat e votimit.

Në dyqanin e tij të vogël, në një prej rrugëve kryesore në qendër të qytetit Pontiac në Ilinoi, Jon Sear riparon kompjuterat.

Ai thotë se biznesi i tij bazohet mbi një parim kryesor.

“Në biznes nuk mund të kesh deficit, shfrytëzon çdo mundësi që të vjen, shpenzon brenda buxhetit dhe jo më shumë. Është një logjikë e thjeshtë”.

Zoti Sear thotë se kjo logjikë e thjeshtë mungon tek qeveria e shtetit të Ilinoit, ku sipas përllogaritjeve deficiti buxhetor e kalon shifrën e 11 miliardë dollarëve.

Ndërsa kandidatët republikanë për president bënin fushatë në gjithë shtetin, buxheti në vështirësi i Ilinoit dhe shpenzimet e qeverisë federale janë shqetësuese për shumë votues si zoti Sear dhe gruaja e tij Amy.

“Shqetësohem sepse nuk e kuptoj se si shtimi i shpenzimeve do të përmirësojë gjendjen ekonomike kur duket se kjo ka një efekt të kundërt. Si qytetare, mua më duhet të paguaj të gjitha detyrimet financiare në jetë, prandaj do të doja që edhe qeveria të bëjë të njëjtën gjë”.

Sipas anketave të opinionit në Ilinoi, ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mitt Romney gëzon mbështetje më të madhe se sa ish senatori Rick Santorum. Ndërkohë që zoti Romney mund të fitojë me lehtësi mbështetjen e grupeve të mëdha të votuesve të moderuar republikanë të Çikagos, Rick Santorum ka të ngjarë të fitojë në zona në periferi të qytetit, si në qytetin Pontiac me popullsi prej 12 mijë banorësh.

Në zgjedhjet e mëparshme, zoti Santorum ka theksuar çështjet shoqërore, si qëndrimi i tij kundër legalizimit të abortit, për ta ndihmuar atë që të fitojë më shumë mbështetje se sa zoti Romney nga votuesit konservatorë.

Por Jon Sear thotë se në Ilinoi nuk funksionon kështu.

“Çështjet shoqërore janë të rëndësishme, por çështjet buxhetore janë edhe më të rëndësishme”.

Jim McConoughey është drejtor ekzekutiv i organizatës Heartland Partnership, e cila përpiqet të nxisë zhvillimin ekonomik në rajonet qendrore të shtetit.

“Mendoj se çështjet shoqërore janë të rëndësishme për shumë njerëz, por të gjithë duam që fqinjët tanë të punojnë dhe që të hapen vende pune për fëmijët tanë”.

Dhe kjo është arsyeja kryesore që Amy dhe Jon Sear janë kaq të shqetësuar rreth së ardhmes.

“Kur ke fëmijë, fillon të shqetësohesh se si do të jetë jeta për ta kur të rriten? Sa keq mund të jetë për ta dhe a do të jetojnë ata në një vend ashtu siç u rritëm ne e të jenë në gjendje të krijojnë familjen e tyre”?

Jon dhe Amy Sear mendojnë se Rick Santorum ka zgjidhjet më të mira për këto shqetësime, dhe duan që ai të zgjidhë problemet ekonomike të vendit në mënyrë që Jon të mund të vazhdojë riparimin e kompjuterve, profesion ky që mban qytetin dhe familjen e tij në biznes. Mbetet për t’u parë nëse një numër i mjaftueshëm republikanësh të Ilinoit janë të këtij mendimi apo nëse ata mendojnë se Mitt Romney është zgjedhja më e mirë për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG