Lidhje

Gara republikane për president, Mit Romni kryeson ndaj Rik Perrit


Gara republikane për president, Mit Romni kryeson ndaj Rik Perrit
Gara republikane për president, Mit Romni kryeson ndaj Rik Perrit

Një anketë e re e opinionit publik tregon që gara për postin e kandidatit për president të Partisë Republikane mbetet e hapur. Dhe për të po konkurojnë jo më pak se 10 kandidatë. Ndonëse numri i kandidatëve është i madh, disa aktivistëve po kërkojnë të nxisin të paktën edhe një tjetër politikan për t’iu shtuar listës së kandidatëve, Guvernatorin e Nju Xhersit, Kris Kristi.

Anketa e fundit e realizuar nga stacioni televiziv Fox News nxjerr si më të preferuarin, midis kandidatëve republikanë për president, ish-Guvernatorin e Masaçusetsit Mit Romni me 23 përqind, i ndjekur nga Guvernatori i Teksasit Rik Perri me 19 përqind. Ky është një ndryshin nga muaji i kaluar kur një sondazh tregoi që zoti Perry kryesonte ndaj zotit Romni me një diferencë prej 7 përqindësh. Para atij momenti ish-Guvernatori i Masaçusetsit kishte kryesuar garën për muaj me rradhë. Anketa të tjera të fundit paraqesin zotin Perri si kryesues.

Kandidati Perri, ra nga vendi i parë në të dytin, pas vlerësimeve negative për paraqitjen e tij në debatet elektorale të javëve të fundit dhe pas ngritjes nëpër anketa të biznesmenit jo shumë të njohur nga shteti i Xhorxhias, Herman Kein. Zoti Kein u rendit i treti në sondazhin e fundit të Fox News me një mbështetje prej 17 përqind. Ky rezultat i tij vjen menjëherë pas fitores së tij në votimin provë të bërë së fundmi në shtetin e Floridas.

Rezultatet e anketës së fundit lënë të kuptohet se gara për postin e kandidatit për president të Partisë Republikane është tërësisht e hapur, me kandidatët Romni dhe Perri si pretendentë kryesorë.

Por shumë republikanë shohin mangësira tek të gjithë kandidatët dhe kjo ka sjellë shtimin e zërave që i kërkojnë Guvernatorit të Nju Xhersit Kris Kristi të hyjë në garë.

Një votuese i kërkoi zotit Kristi të rishikojë vendimin e tij për të mos kandiduar për President, gjatë një fjalimi të fundit që ai mbajti në Librarinë Presidenciale Ronald Regan në Kaliforni.

“Ju lutem zotëri, ne kemi nevojë për ju. Vendi juaj ka nevojë që ju të kandidoni për President.”

“Unë e kuptoj mendimin tuaj dhe e ndiej entuziazmin me të cilin ju e shprehni atë, iu përgjigj zoti Kristi. Kjo është diçka që më prek. Por në të njëjtën kohë, mesazhi i përzemërt që ju më jepni nuk është një arsye e mjaftueshme që unë të bëj një gjë të tillë. Arsyeja duhet të vijë nga brenda meje,” shtoi ai.

Mundësia që zoti Kristi të ndryshojë vendim dhe të hyjë në garë po entuziazmon konservatorët të cilët pëlqejnë stilin e tij të drejtëpërdrejtë dhe vullnetin për të pakësuar shpenzimet qeveritare. Por Guvernatori Kristi ka disa pikëpamje të moderuara në lidhje me disa çështje shoqërore që mund të zhgënjejnë konservatorët, nëse ai vendos të kandidojë.

Zoti Rik Perri gjithashtu entuziazmoi republikanët kur ai u fut në garë, por ai është kritikuar prej kundërshtarëve të tij lidhur me lëshime në dhënien e bursave për fëmijët e imigrantëve të paligjshëm në Teksas, një qëndrim ky me të cilin shumë konservatorë nuk janë dakord.

Procesi i votimit për zgjedhjen e kandidatit për President të Partisë Republikane fillon në muajt e parë të vitit të ardhshëm, me mbledhjet elektorale në shtetin Ajva dhe me zgjedhjet presidenciale paraprake në shtetin Nju Hempshër.

XS
SM
MD
LG