Ka kaluar pothuajse një muaj që kur Presidenti Trump kërkoi mobilizimin e Gardës Kombëtare për të forcuar sigurinë në vijën kufitare SHBA-Meksikë. Presidenti e dha urdhrin ndërkohë që një karvan me rreth 1500 imigrantë po drejtohej nga Meksika drejt kufirit. Presidenti foli për një rritje të kalimeve të paligjshme të kufirit duke e quajtur situatën një krizë "të paligjshmërisë". Disa qindra imigrantë kanë mbërritur tashmë në kufirin amerikan. Korrespondentët Ramon Taylor dhe Arturo Martinez të Zërit të Amerikës biseduan me zyrtarët e imigracionit dhe Gardës Kombëtare për të identifikuar efektin që do të ketë dislokimi i trupave tek siguria kufitare dhe jeta e atyre që duan të futen në Amerikë si imigrantë.
Administrata Trump ka identifikuar një “krizë” në kufirin SHBA-Meksikë.
“Ne nuk e kemi idenë se çfarë ndodh nëpër zonat ku nuk kemi një mënyrë të efektshme për të mbikëqyrur si duhet. Kjo për mua, është përkufizimi i një krize", thotë Kirstjen Nielsen, sekretare e Sigurisë Kombëtare.
Por nëse ekziston apo jo një rritje e numrit të kalimeve të paligjshme përgjatë kufirit prej 3,000 kilometrash, kjo varet nga mënyra se si i analizon shifrat.
Zyra për Mbrojtjen Kufitare dhe Doganat pa një rritje prej më shumë se 200% të numrit të përgjithshëm të kapjeve përgjatë kufirit jugperëndimor në mars të vitit 2018, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Për gjithë vitin, numri i përgjithshëm i arrestimeve në vitin 2017 arriti nivelin më të ulët në 46-vjet.
Pothuajse 1.000 trupa të Gardës Kombëtare janë vendosur në kufi në përgjigje të thirrjes së Presidentit Trump për deri në 4.000 trupa. Të tjerë janë ende duke u dislokuar. Funksionet e tyre ndryshojnë.
“Mirëmbajtje, pastrim rrugësh, ndihmë administrative dhe logjistike…”
Megjithëse trupat e Gardës Kombëtare nuk do të luajnë rol në kapjen e kalimtarëve kufitar, agjentët e Patrullës Kufitare thonë se ndihma e tyre në fusha të tjera është shumë e nevojshme - dhe emigrantët e mundshëm do të shohin më shumë agjentë që patrullojnë kufirin.
“Garda Kombëtare do të lirojë elementët e tjerë të ndihmës që janë zakonisht të zënë nga agjentë duke i lejuar këta të fundit të shkojnë në vijën e frontit”.
Vinny Dulesky, Përgjegjës për Operacionet Speciale në Patrullën Kufitare në Arizona thotë se ka më shumë emigrantë të kombësive të tjera që shfaqen në kufi. Por prezenca e Gardës Kombëtare shihet me një tjetër vështrim përtej kufirit.
“Ne nuk jemi në luftë. Ne supozohemi të jemi vende partnere apo jo?
Në qytetin kufitar Mexicali në Meksikë, Mónica Oropeza drejton një strehë për emigrantët e mundshëm dhe ata të deportuar. Ajo thotë se dislokimet e Gardës Kombëtare gjatë administratave të mëparshme ka patur pasoja të kundërta dhe beson se këtë herë nuk do të jetë ndryshe.
"Është më e shtrenjtë në jetët njerëzore të humbura. Dislokimet e mëparshme sollën më shumë vdekje të emigrantëve, dhe pse? Për shkak se ata janë të detyruar të kalojnë nëpër rrugë më të vështira dhe më të rrezikshme, por kjo nuk e ndalon migrimin e tyre", thotë Monica Oropeza Rodrigues.
Por disa emigrantë pranojnë se shtimi i sigurisë duke përfshirë vendosjen dhe përdorimin e Gardës Kombëtare dhe teknologji të mbikëqyrjes, është një pengesë e qartë. César Morales, një i mitur i deportuar kohët e fundit në Zacatecas, Meksikë, i cili kërkoi mundësi më të mira ekonomike për familjen e tij, nuk do të tentojë të kalojë përsëri.
“Kufiri është shumë i vështirë për t’u kaluar. Nuk ka më mundësi”.
Morales thotë se rreziqet me të cilat u përball gjatë rrugës ishin të mjaftueshme për ta bindur të qëndronte në vendin e tij.
Facebook Forum