Lidhje

Gazë, sulmohet një shkollë e OKB-së, të paktën 10 të vrarë


Të paktën 10 vetë u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën sot në një shkollë të Kombeve të Bashkuara në Gazë ku strehoheshin persona të zhvendosur. Një zyrtar i OKB-së tha se viktimat u shkaktuan me sa duket nga një sulm ajror izraelit kundër një objekti aty pranë.

Dëshmitarët thanë se shpërthimi në Rafah ndodhi kur njerëzit ishin duke pritur në radhë për ushqim. Trupat e disa viktimave, mes tyre edhe fëmijë, u panë të shpërndara në rrugë, të mbytura në gjak. Ushtria izraelite nuk ka bërë komente.

Është hera e tretë në 10 ditë që goditet një shkollë e OKB-së. Sulmet janë bërë objekt dënimi ndërkombëtar. Incidenti i sotëm u kritikua nga shefi i OKB-së Ban Ki-mun, i cili e quajti atë "një skandal moral dhe vepër penale."

Ushtria izraelite tha se më shumë se 50 raketa u lëshuan nga Gaza në Izrael të dielën.

Izraeli thotë se po i kundërpërgjigjet sulmeve me raketa të Hamasit që lëshohen nga afër objekteve të OKB-së. Një zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se në shkollë janë strehuar rreth 3.000 refugjatë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve në Gazë.

Sulmi ajror në shkollë erdhi ndërkohë që Izraeli ka tërhequr disa trupa nga Gaza dhe ka dislokuar të tjera brenda kësaj enklave palestineze buzë Mesdheut. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se forcat e saj janë "shumë pranë", përfundimit të misionit për të shkatërruar tunelet e Hamasit, që ai i përdor për të fshehur armët dhe për të hyrë fshehurazi në Izrael.

XS
SM
MD
LG