Lidhje

Gazetarët në Britani: Kërcënimet dhe sulmet po bëhen rutinë pune


Gazetarët në Londër duke pritur daljen e kryeministrit nga spitali Saint Thomas (7 prill 2020)

Gazetarët në Britani thonë se po punojnë në një atmosferë gjithnjë e më armiqësore, me kërcënime, sulme fizike dhe abuzime në internet që tani po shihen si rutinë dhe pjesë e punës.

Unioni Kombëtar i Gazetarëve në Britani anketoi anëtarët e tij rreth përvojave të tyre me frikësimin dhe kërcënimin. Më shumë se tre e katërta e të anketuarve u pajtuan se këto dy elemente duken si normale dhe se janë bërë pjesë e punës.

Rreth 51 për qind raportojnë se janë kërcënuar në internet. Në shënjestër janë sidomos gratë dhe pakicat etnike.

“Nëse kërcënoheni me përdhunim ose dhunë, nëse familjarët ose fëmijët tuaj kërcënohen përmes rrjeteve sociale ju nuk mund të rrini indiferentë. Duhet t’i shihni ato si shumë serioze. Vetë fakti që po kërcënoheni ndikon në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve”, thotë Michelle Stainstreet, Sekretare e përgjitshshme e Unionit Kombëtar të Gazetarëve.

Një nga pesë të anketuarit thonë se janë sulmuar fizikisht. Gazetarët në Irlandën e Veriut raportojnë shtim të kërcënimeve dhe sulmeve. Vrasja e 29 vjeçares Lyra McKee, që u qëllua për vdekje pas raportimit të saj për trazirat në qytetin Derry më 2019, vë në pah rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballen gazetarët.

Shumë të anketuar thonë se kërcënimi dhe frikësimi janë përkeqësuar gjatë pandemisë së koronavirusit, në veçanti gjatë demonstratave publike.

“Duke i vënë në shënjestër, duke u dëmtuar pajisjet e xhirimit dhe në disa raste duke i sulmuar fizikisht”, thotë zonja Stainstreet.

Shumë nga pjesëmarrësit në anketë fajësojnë politikanët për nxitjen e një klime armiqësore ndaj shtypit.

“Retorika që kemi parë vë në shënjestër punën e gazetarëve, duke i quajtur raportimet që nuk u shkojnë për shtat si “lajme të rreme” dhe duke sulmuar të ashtuquajturën fushatë e shtypit. Kjo shkakton një klimë shumë sfiduese për ata që thjesht po mundohen të kryejnë punën e tyre”, shtoi sekretarja e përgjithshme e Unionit Kombëtar të Gazetarëve.

Qeveria britanike thotë se janë duke shqyrtuar ligje të reja që kërkojnë nga kompanitë e rrjeteve sociale të marrin përgjegjësi për materiale kërcënuese dhe abuzuese në platformat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG