Lidhje

Gejts: Nëse vendet anëtare të NATO-s nuk shtojnë angazhimin, SHBA mund të dalë nga aleanca


Gejts: Nëse vendet anëtare të NATO-s nuk shtojnë angazhimin, SHBA mund të dalë nga aleanca
Gejts: Nëse vendet anëtare të NATO-s nuk shtojnë angazhimin, SHBA mund të dalë nga aleanca

NATO-ja, Aleanca ushtarake e Uashingtonit me Evropën, gurë-themeli i politikës amerikane të sigurisë për 6 dekada, përballet me një të ardhme të pasigurtë, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Në fjalimin e tij të lamtumirës dhe të fundit mbi politikën amerikane, shefi i Pentagonit vuri në pikpyetje sukseset në të ardhmen të NATO-s, duke thënë se kontributet e pakta dhe mungesa e vullnetit politik nga vendet anëtare, mund të përshpejtojnë dhënien fund të mbështetjes amerikane në të ardhmen.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates paralajmëroi që vendet anëtare të NATO-s duhet të shtojnë angazhimet në shpenzimet e mbrojtjes, përndryshe aleanca mund të përballet me një të ardhme pa Shtetet e Bashkuara.

"Udhëheqësit e ardhshëm politikë në Shtetet e Bashkuara, për të cilët Lufta e Ftohtë nuk ishte një përvojë siç ishte për mua, mund të mos i konsiderojnë të vlefshme investimet e Amerikës në NATO. Unë po parashikoj mundësinë reale për një të ardhme të zymtë, në mos fatale për aleancën. Një e ardhme e tillë është e mundur, por jo e pashmangshme. Lajmi pozitiv është se vendet anëtare të NATO-s, individualisht dhe kolektivisht, i kanë mundësitë që të ndalojnë, madje të kthejnë mbrapsht këto prirje dhe të sjellin një të ardhme shumë të ndryshme".

Sekretari Gates e mbajti fjalimin sot në Bruksel në takimin e një grupi studimor për çështjet e sigurisë dhe të mbrotjes. Ky ishte fjalimi i tij i fundit mbi politikën amerikane, para se të dalë në pension nga fundi i muajit. Zoti Gates tha se ligjvënësit amerikanë po e humbasin durimin kur është fjala për mbulimin e 75 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes për koalicionin.

Sekretari i Mbrotjes vuri në dukej se të 28 vendet anëtare të NATO-s votuan për misionin kundër udhëheqësit të Libisë, Moamar Gadafi, por më pak se gjysma kanë marrë pjesë. Ai tha se disa vende anëtare, që po marrin pjesë, po fillojnë të humbasin burimet, vetëm 11 javë pas fillimit të misionit, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të përmbushin mungesat.

Ai tha se mungesa e gadishmërisë ose paaftësia për të kontribuar ka ndikuar tek operacionet në Afganistan dhe si pasojë koalicioni ka pasur shumë vështirësi për të mbajtur të dislokuar 45 mijë trupa. Zoti Gates tha se përfundimi i misionit në Afganistan duhet të bëhet në një formë të bashkuar dhe jo duke u diktuar nga situata financiare e çdo vendi anëtar.

Sekretari Gates mori pjesë dje në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, i fundit për të, ku tha se në Afganistan është arritur përparim i madh nga aspekti ushtarak. Ai paralajmëroi se ky përparim mund të vihet në rrezik nëse kalimi i kontrollit të plotë të sigurisë qeverisë afgane nuk bëhet në mënyrë të menduar mirë, të organizuar dhe bashkërenduar.

XS
SM
MD
LG