Lidhje

Genocidi në Ruandë


1994 Rwanda massacre victims.
1994 Rwanda massacre victims.
Në korrik u mbushën 18 vjet nga përfundimi i genocidit në Ruandë. Ndërsa brezi i ri nuk e ka të fiksuar në kujtesë konfliktin mes fiseve etnike Hutu dhe Tutsi, Ruanda po planifikon ri-varrimin e qindra trupave qe tani jane ekspozuar para publikut në Memorialin e Genocidit në Murambi. Ivan Broadhead njofton për Zërin e Amerikës lidhur me planin që ka provokuar një debat lidhur me mënyrën e kujtimit të mizorive të vitit 1994 nga brezat e ardhshëm:

Kolegji teknik i Murambit ndodhet në një fshat, në majën e një kodre në mes të gjelbërimit; fëmijët luajnë jashtë gardhit të shkollës. Gilbert Sezirahiga është drejtor menaxhues i Qendrës së Memorialit, të ndërtuar këtu pas luftës civile.

“Kur filloi genocidi, autoritetet e vjetra i zhvendosen të gjithë banorët Tutsi nga provinca, duke i çuar ata në këtë shkollë… Pastaj ata i vranë kudo në oborr, nëpër klasa, menca, e kudo. Viktimat ishin të shumta.”

Sot, në 24 klasat e shkolles me tulla kuqe, ku dikur kishte tavolina dhe karrike, janë vendosur arkivolet prek druri me trupat e 1 mijë burrave, grave dhe fëmijëve, gjysëm të ballsamosura. Ato janë vetëm disa prej 45 mijë banorëve Tutsi të masakruar natën e 21 prillit të vitit 1994 në Murambi, që u nxorrën nga varret masive dhe trupat e tyre u konservuan në gëlqere. Era e neveritshme e dekompozimit të trupave e ka rënduar ajrin. Në njërën nga dhomat, një fëmijë tkurret në gjoksin e nënës nga pamja e tmerrshme. Juliette Mukabanda fshin klasat për ditë. Burri i saj Frederiku dhe djemtë, 7-vjeçari Jean dhe 5-vjeçari Vincent, janë mes të vdekurve.

“Ata e dinin se unë isha Hutu dhe burri im Tutsi. E vranë atë dhe djemtë. Pasi më lanë pa më vrarë, dëgjova kur qëllonin me armë në të gjitha klasat dhe më pas duke i vrarë të mbijetuarit me hanxharë.”

Në Ruandë thuhet se “varrosja e njerëzve është njëlloj si t’i harrosh ata”. Duke qenë se Murambi është memoriali i vetëm ku ekspozohen një pjesë e viktimave të genocidit, ai është tepër i rëndësishëm për vendin. Megjthatë, pas 18 vjet kontakti me ajrin, po bëhet përherë e më e vështirë ruajtja e trupave, thotë Karengera Ildephonse, drejtor i Komisionit Qendror për Luftën kundër Genocidit:

“Me kalimin e kohës, ato prishen. Ne nuk kemi teknologjinë dhe mjetet për t’i mbajtuar trupat të ekspozuara. Synojmë të zgjedhim disa prej tyre për t’i patur në ekspozitë. Të tjeret do të varrosen.”

Antropologët e mjekësisë ligjore nga Britania janë duke ndihmuar në këtë process.

“Së shpejti presim të sjellin një laborator të lëvizshëm, ku do të bëjmë ballsamosjen e plotë të trupave. Do të mund të bëjmë vetëm 25 trupa, pasi procesi i ballsamosjes kushton shumë.”

Daniel Haum është studjues për genocidin në Universitetin e Buffalos, në Nju Jork. Ai ka qenë për 6 muaj në Murambi. Ai e sheh ekspozimin e përhershëm të trupave si një konflikt moral.

“Unë mendoj se krijimi i ndjenjës së frikës përmes një projekti që mendohet të jetë kundër genocidit nuk më duket mënyra më e mire për realizimin e tij”.

Në se projekti do të vazhdojë, Juliette Mukakabanda, tani 48 vjeç, do të vazhdojë të pastrojë klasat. Ajo gjen ngushëllim që është kaq pranë të vdekurve gjatë genocidit të Murambit.

“Me mënyrën si janë vendosur trupat unë nuk i dalloj dot burrin dhe fëmijët e mij. Ata mund të jenë në njërën nga klasat, ose në varrezë. Por unë e ndjej se ata janë këtu pranë. Të gjitha viktimat tani i kam si familjen time.”

18 vjet më pas, shkalla e genocidit mbetet befasuese. Një në 7 banorë të Ruandës u vranë brenda 100 ditëve dhe ende vazhdon kërkimi për trupat. Në Cyancika, dy milje larg Murambit, është duke u ndërtuar një tjetër memorial. Varri masiv që është në procesin e gërmimit ka përmasat e një pishine Olimpike. Vitet e ardhshme këtu do të varrosen edhe 25 mijë viktima të tjera.
XS
SM
MD
LG