Lidhje

Kosova në margjinat e Forumit Ekonomik në Davos


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndodhen në Davos ku po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Nuk ka asnjë takim të paralajmëruar ndërmjet tyre, por të dy e kanë vënë theksin tek bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën në mbrëmje se i ka premtuar kancelares gjermane, Angela Merkel, se Beogradi do të bëjë gjithçka që të gjejë një kompromis me udhëheqësit e Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

Kancelarja gjermane Merkel takon presidentin serb Vuçiç
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:22 0:00

"Nuk jam shumë optimist për këtë. Nuk mund të premtoj se vërtetë do të arrijmë, por nuk ka dyshim se do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do t'i kushtojmë shumë kohë arritjes së zgjidhjes", tha ai.

Gjermania ishte më e zëshmja kundër ideve të hedhura nga presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për prekjen e kufijve si rrugë e arritjes së një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve.

Idetë e tilla nxitën kundërshtime edhe në Kosovë, përfshirë edhe qeverinë e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, vendimi i së cilës për t'u vënë tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia, bllokoi edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, meqë Beogradi e kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave.

Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Prishtinës te anulojë tarifat për t'i hapur rrugë procesit të bisedimeve, por kryeministri Haradinaj thekson se tarifat do të mbeten në fuqi deri në një marrëveshje për njohje të ndërsjellë.

Presidenti Thaçi tha në fillim të javës se Kosova nuk duhet të vendosë pengesa ose vështirësi për dialog në mënyrë që të mos krijojë imazh negativ para miqve të saj.

“Ne duhet të punojmë me argumente pozitive dhe jo elemente negative në raport me miqtë tanë dhe nuk duhet ta lejojmë që Serbia të krijojë favore krejt të panevojshme për shkak të zhvillimeve. Serbia meriton përtej tarifave, Serbia meriton ndëshkimin nga bashkësia ndërkombëtare për të gjitha krimet, ajo meriton edhe më tepër nga ne por ne duhet të shikojmë më larg se sa vetëm politikat momentale”, tha presidenti Thaçi.

Në Davos ai është takuar me komisionarin e Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn me të cilin, siç shkroi në rrjetet sociale, ka diskutuar edhe për procesin e bisedimeve me Serbinë.

Tash për tash nuk ka ndonjë shenjë se kur mund të vazhdojnë bisedimet për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve, por edhe zhvillimeve të brendshme në Kosovë e në Serbi, që mund t'i çojnë të dyja vendet në procese zgjedhore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG