Lidhje

Punonjësit e shëndetësisë dhuruan gjak


Dhurimi vullnetar u siguron spitaleve gjak me cilësi të lartë, për të shëruar të plagosurit, por u përmirëson shëndetin edhe vetë dhururesve.

Punonjësit e mjekësisë dhe administrata e ministrisë së shëndetësisë dhuruan sot gjak me rastin e ditës ndërkombëtare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë spitalet gjatë kësaj fushate kombëtare. Qendra e specializuar e dhurimit u ngrit sot në sallën e mbledhjeve të ministrisë së shëndetësisë ku punonjësit e ministrisë dhuruan gjak me mbështetjen e kryqit të kuq shqiptar.

Ekspertët pohojnë se aktualisht mbi 85 për qind e nevojave për gjak sigurohen nga dhururues vullnetarë të rastësishëm. Por, tashmë mund të flitet edhe për dhurures vullnetarë të rregullt numri it ë cilëve është dyfishuar.



“Nga 130 dhurures të rregullt një vit më parë janë 270 sivjet. Këtë vit janë bërë deri tani 6 mijë dhurime gjaku. Këto janë shifra në rritje të dukshme” - tha ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shtojnë më tej dhurimet e gjakut, për të ndihmuar urgjencat e befasishme në spitale dhe fëmijët që vuajnë nga talasemia.

“Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë se gjaku, ky produkt jetësor i pazëvendësueshëm, mund të sigurohet vetëm nga dhurimet. Ne po punojmë që dhurimin e gjakut njerëzit ta kryejnë në mënyrën më të zakonshme, ashtu si ndodh në Europë, ku kjo është një praktikë e zakonshme. Kështu shpëtojmë jetën e të tjerëve, por njëkohësisht i bëjmë mirë edhe jetës tonë” - tha zoti Vasili.

Shqipëria i ka dhënë fund prej 10 vjetësh dhurimit të gjakut me pagesë për shkak të cilësisë së dobët të tij nga një grusht njerëzish. Dhurimi vullnetar u siguron spitaleve gjak me cilësi shumë të lartë, për të shëruar të plagosurit, por ndërkohë u përmirëson shëndetin edhe vetë dhururesve. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë vlerësime të mira për mjekësinë shqiptare si për vaksinat ashtu edhe për reformat në rrjetin e dhurimit të gjakut.
XS
SM
MD
LG