Lidhje

Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës – e qetë por me tensione


Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës – e qetë por me tensione
Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës – e qetë por me tensione

Autoritetet e sigurisë në Kosovë thanë se gjendja në veri është e qetë, ndonëse dy nga rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare po mbahen të bllokuara nga serbët. Forcat paqeruajtëse thanë nëpërmjet një komunikate se kanë hequr bllokadën në një rrugë dytësore në zonën e Zubin Potokut, në funksion të siç është thënë rivendosjes së lirisë së lëvizjes. KFOR-i thotë se aksioni është kryer në bashkërendim me EULEX-in dhe ka "kaluar pa asnjë pengesë”. Paqeruajtësit e cilësuan përgjithësisht të qetë situatën në Kosovë, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve që të që ta ruajnë qetësinë dhe të ndihmojnë në shmangien e dhunës.

Ndërkaq, edhe më tej vazhdon bllokimi i dy rrugëve kryesore nga banorët serb si reagim ndaj operacionit të njësive të posaçme të policisë së Kosovës për vënien nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri.

Një pjesëtarë i policisë u vra gjatë një sulmi mbi forcat e policisë, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga grupe serbësh.

Parlamenti i Serbisë miratoi natën vonë një deklaratë për Kosovën, në të cilën dënon dhunën dhe bën thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së shkaktuar siç thuhet nga “akti i njëanshëm i Prishtinës për ndërhyrje në veri”. Në punimet e Parlamentit serb mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës duke thënë Serbia nuk do të hyjë edhe në një luftë tjetër dhe se do të mundohet ta zgjidhë problemin me mjete paqësore. Ai ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të kthejë gjendjen e mëparshme në vendkalime kufitare para ndërhyrjes së njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, autoritetet në Kosovë thanë se kthim prapa nuk mund të ketë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka theksuar se që nga 25 korriku, Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në respektim të ligjit dhe të sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit dhe as që mund të mendohet ndonjë hap prapa.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa paralajmëruan se fillimi i javës mund të shënojë përpjekje të reja për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG