Lidhje

Gjenerali Mattis pritet të emërohet të hënën Sekretar i Mbrojtjes

  • Isabela Cocoli

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka përzgjedhur Gjeneralin në pension të Korpusit të Marinsave, James Mattis, për sekretar mbrojtjeje. Do të nevojitet megjithatë ndryshimi i ligjit federal në mënyrë që zoti Mattis të mund ta marrë këtë detyrë.

Gjatë një tubimi paszgjedhor të zhvilluar të enjten në Cincinnati, të shtetit Ohio, zoti Trump konfirmoi vendimin e tij për të cilin ishte folur shumë në media.

66-vjeçari Mattis, i cili njihet me nofkën “Mad Dog” (“Qen i Egër”) pasi thoshte se i pëlqente të luftonte, ishte komandant i marinsave në luftërat në Afganistan dhe Irak.

Ai komandoi një batalion marinsash gjatë luftës së parë të Gjirit Persik, si dhe një divizion marinsash gjatë ndërhyrjes në Irak në vitin 2003. Në vitin 2010, zoti Mattis u caktua të drejtonte Komandën Qendrore të SHBA-së, ku përveç drejtimit të forcave në Irak dhe Afganistan, ai mbulonte edhe zonën që përfshin Sirinë, Jemenin dhe Iranin.

Kandidatura duhet të konfirmohet nga Senati, si të gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit. Por në rastin e tij, Kongresi, duhet të miratojë edhe një ligj të ri, për të bërë një përjashtim nga rregullat tanishme, sipas të cilave një gjeneral duhet të jetë larguar për të paktën 7 vjet nga shërbimi aktiv para se të mund të emërohet si sekretar i mbrojtjes.

Gjenerali Mattis është larguar nga shërbimi ushtarak në vitin 2013. Kongresi amerikan e ka bërë vetëm një herë më parë një përjashtim të tillë, në vitin 1950, në rastin e gjeneralit George C. Marshall.

Gjenerali me katër yje, James Mattis, pati drejtuar më parë Komandën e Forcave të Bashkuara, si dhe një komandë të NATO-s që përgatiste forcat e aleancës për t’u përballur me sfidat e të ardhmes.

Një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit i tha gazetës “The Washington Post”, se zoti Mattis është një figurë shumë e respektuar.

“Ai është një luftëtar dhe studiues, i cili ashtu siç i thotë të vërtetën gjithkujt, do t’i thotë të vërtetën edhe komandantit të përgjithshëm”, u shpreh zyrtari.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG