Lidhje

Gjenerali: SHBA mund ta mbajë presionin ndaj ISIS-it me më pak trupa në Irak


Gen Mckenzie
Gen Mckenzie

Kryekomandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara mund ta mbajnë presionin mbi grupin terrorist të Shtetit Islamik dhe të ndërtojnë kapacitetet ushtarake të Irakut me më pak trupa amerikane në terren.

"Ne mund ta bëjmë punën me më pak forca amerikane në Irak dhe pakësimi i trupave do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë," tha në një intervistë ekskluzive gjeneral Kenneth "Frank" McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM). Ai tha se SHBA "janë duke punuar tani për këtë problem."

Gjeneral McKenzie nuk pranoi të flasë për shifra konkrete të trupave. SHBA aktualisht kanë midis 5,000 dhe 6,000 trupa në Irak.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se hollësi të tjera mbi planet për pakësimin e mundshëm të forcave amerikane në Irak mund të bëhen të ditura pas dialogut SHBA-Irak, i planifikuar gjatë këtij muaji.

Për shkak të shqetësimeve të koronavirusit, është ende e paqartë nëse përfaqësuesit e SHBA dhe Irakut do të takohen në Uashington apo do të zhvillojnë bisedime me telekonferencë.

Gjeneral McKenzie tha se qeveria e Irakut ka qenë "shumë agresive dhe shumë e dobishme" në përpjekjet për të reduktuar sulmet nga ana e forcave të mbështetura nga Irani kundër bazave ku ndodhen trupa të SHBA dhe ato ndërkombëtare, çështje që kishte shkaktuar më parë fërkime midis dy vendeve.

"Për shkak të kësaj, gjatë javëve të fundit kemi parë një numër më të ulët sulmesh kundër bazave të SHBA sesa mund të kishim parë në kushte të tjera," i tha gjeneral McKenzie Zërit të Amerikës.

Komandanti i CENTCOM tha se Irani është nën presion të madh diplomatik dhe ekonomik, por ka bërë sakrifica në dëm të popullit të vet për të siguruar se kërcënimi i tij ushtarak, përfshirë forcat e tyre të raketave balistike dhe Rojet Revolucionare Islamike, do të mbetet i lartë.

"Unë nuk e konsideroj Iranin më pak kërcënues tani se sa ishte disa muaj më parë," tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG