Ministri i jashtëm gjerman tha të premten se është i gëzuar që duket se Kongresi amerikan beson se forcat amerikane duhet të qëndrojnë në vendin e tij në nivelin e tanishëm.
Gjatë një konference për shtyp të premten në Berlin, Ministri i Jashtëm Heiko Maas komentoi rreth variantit përfundimtar të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, të publikuar të enjten nga Kongresi. Aty thuhet se forcat amerikane të vendosura në Gjermani nuk mund të ulen nën nivelin e tanishëm, deri në të paktën 120 ditë pasi sekretari i mbrojtjes t'i ketë paraqitur Kongresit një analizë të detajuar për këtë ndryshim.
Rreth 36 mijë ushtarakë amerikanë ndodhen në këtë vend.
Në korrik, Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për një shkurtim prej 12 mijë ushtarakësh nga personeli i vendosur në Gjermani. Presidenti Trump u tha gazetarëve në atë kohë se Gjermania nuk pati kontribuar pjesën e saj për NATO-n.
Lëvizja tronditi disa nga zyrtarët e ushtrisë amerikane, që i perceptojnë këtë forca si mbrojtëse të interesave amerikane në Evropë.
Zoti Maas u tha gazetarëve se megjithë komentet e bëra nga presidenti dhe Departamenti i Mbrojtjes në korrik, Gjermanisë nuk "iu dha ndonjëherë informacion për reduktimin e forcave që u njoftuan në korrik", dhe se ai nuk mund të thotë me siguri se cilat ishin planet, ose nëse ekzistonin me të vërtetë.
Sidoqoftë, duke iu referuar njoftimit të Kongresit për masën e rënë dakort këtë javë, ai tha se Gjermania është e kënaqur që duket se ka mbështetje dypartiake nga ligjvënësit amerikanë për ta rishikuar vendimin e marrë.
Ai tha se qeveria e tij synon ta diskutojë situatën me administratën e ardhshme dhe bëri të qartë se Gjermania i qëndron premtimeve të saj dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se "ushtarët amerikanë janë të mirëpritur këtu. Ata nuk kontribuojnë vetëm për sigurinë e Gjermanisë, por edhe për sigurinë e Evropës".
Facebook Forum