Gjermania refuzuoi thirrjen e Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohet misionit ndërkombëtar për të mbrojtur trafikun detar në ngushticën e Hormuzit.
Ministri i jashtëm gjerman, deklaroi se çështja kërkon një zgjidhje diplomatike, në mënyrë që të ulen tensionet.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Gjermania t’i bashkohen Francës dhe Britanisë në misionin për të siguruar trafikun në ngushticë, zonë kjo ku çisterna të mëdha ndërkombëtare transportojnë të paktën një të pestën e furnizimeve me naftë të papërpunuar të botës.
“Do të mbajmë lidhjet e hapura në çdo anë dhe do të gjejmë mënyra të krijojmë besim dhe të ulim tensionet. Kërkohet një zgjidhje diplomatike. Nuk duhet një zgjidhje ushtarake dhe unë nuk njoh dikë që beson se kjo është zgjidhja”, tha ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass.
Tensionet në Lindje të Mesme janë shtuar, pas akuzave që Shtetet e Bashkuara dhe Irani i bënë njëri-tjetrit për rrëzimin e avionëve pa pilot, në afërsi të ngushticës.
Veç kësaj, Britania konfiskoi një çisternë iraniane afër Gjibraltarit që Londra beson se ishte duke transportuar naftë për në Siri.
Rojet revolucionare të Iranit u kundërpërgjigjën duke marrë kontrollin e një çisterne nafte britanike në ngushticë.
Javën e kaluar, Britania kërkoi veprim nga nisma detare e Evropës, por Uashingtoni insistoi të drejtojë misionin.
Udhëheqësit evropianë janë ngurrues të mbështesin misionin e udhëhequr nga SHBA-të, i cili mund të tensionojë edhe më shumë rajonin.
Mospajtimet midis Tehranit dhe Uashingtonit nisën kur Presidenti Donald Trump anuloi marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe vuri sanksione ndaj qeverisë islamike.
Facebook Forum