Lidhje

Shqipëri: Qeveria miraton projektligje për shërbimin civil


Opozita shprehet mosbesuese ndaj reformave të qeverisë për një administratë jo politike.

Qeveria shqiptare miratoi sot dy projekt-ligje për shërbimin civil dhe administratën publike, që synojnë të vendosin rregulla të reja teknike për mbarëvajtjen profesionale të tyre. Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se projekt-ligji i nëpunësit të shërbimit civil dhe projekt-ligji i administratës publike plotësojnë një nga detyrimet e shumicës dhe qeverisë për statusin e kandidatit në BE. Zoti Berisha tha se “projekt-ligji për shërbimin civil është shumë i mirë, konsolidon më tej shërbimin, dhe se qeveria ka futur aty nene që e ndajnë shërbimin civil nga politika, sipas shembullit të shteteve demokratike perëndimore”.

Zoti Berisha tha se “qeveria synon të mbajë shërbimin civil edhe për disa vite jopartiak dhe larg fushatave zgjedhore”. Të dy këto ligje, sipas tij, caktojnë kriteret e rekrutimit të punonjësve të administratës mbi bazën e meritave profesionale, duke u hapur dyert të gjithë studiuesve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që të japin ndihmesën e tyre.

Por socialistët e opozitës dhanë menjëherë komente skeptike për të dy projekt-ligjet e miratuara në qeveri. Deputeti i PS, Damian Gjiknuri, deklaroi në një bisedë telefonike me "Zërin e Amerikës" se opozita nuk është njohur ende me këto dy projekt-ligje që sapo miratoi qeveria dhe pret t’i shqyrtojë ato komisionet parlamentare. Por ai shtoi se “deklaratat e kryeministrit janë demagogjike, sepse mospërfshirja e administratës shtetërore në fushata zgjedhore nuk zbatohet asnjëherë nga qeveria, ndonëse prej disa vitesh këto ndalime përcaktohen në Kodin Zgjedhor”.

Zoti Gjiknuri tha se “opozita ka denoncuar shpesh herë punësimin e militantëve partiakë në administratën shtetërore pa ndjekur kritere professional, dhe më pas këta njerëz përdoren së bashku me mjetet shtetërore masivisht në fushata zgjedhore”.

Dy forcat kryesore politike kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta për këtë çështje gjatë gjithë viteve të tranzicionit, sapo kanë shkëmbyer në pushtet, dhe kërkesa e ndërkombëtarëve për reforma në këtë fushë shpresohet t’i japë fund fund kësaj praktike, e cila është bërë shkak edhe për kundërshtimin e rezultateve zgjedhore.

Dy projekt-ligjet e miratuara sot nga qeveria për shërbimin civil dhe administratën publike i bashkohen në parlament projekt-ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili përpiqet të plotësojë edhe një nga rekomandimet e tjera të Europës, midis 12 detyrave të tjera para se të shprehet për statusin e vendit kandidat. Shtatori pritet të jetë një muaj intensiv pune në parlament me këto 3 projekt-ligje, krahas debateve për heqjen e imunitetit zyrtarëve dhe gjyqtarëve, për të mundur që në ditët e mbetura shumica dhe opozita t’i miratojnë me mirëkuptim dhe të shtojnë edhe disa pikë pozitive në progres raportin e shumëpritur të tetorit për Shqipërinë nga Komisioni Europian.
XS
SM
MD
LG