Një tjetër zhvillim tronditës për çështjen gjyqësore ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Donald Trump, Michael Flynn.
Gjykatësi federal që mbikqyr çështjen ka vendosur masë pezullimi ndaj veprimeve të Departamentit të Drejtësisë për të hequr dorë nga akuzat penale kundër zotit Flynn. Gjykatësi synon t'u japë ekspertëve të jashtëm ligjorë një shans për të paraqitur argumenta kundër këtij vendimi të departamentit.
Gjykatësi Emmet Sullivan tha të martën vonë se "bashkëpunëtorët e gjykatës" do të jenë në gjendje të paraqesin opinionet e tyre dhe se ai do të caktojë një orë për t'i dëgjuar ato argumente "në kohën e duhur".
Gjykatësi Sullivan mund të vendosë të thërrasë dëshmitarë për të dëshmuar dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me masën e jashtëzakonshme të Departamentit të Drejtësisë javën e kaluar për të hedhur poshtë akuzat kundër zotit Flynn, dhe ndoshta rihapjen e të gjithë çështjes disa muaj para zgjedhjeve presidenciale.
Michael Flynn pranoi fajësinë për akuzën se gënjeu FBI-në në lidhje me bisedimet e tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara për lehtësimin e sanksioneve amerikane gjatë periudhës së tranzicionit midis administratave Obama dhe Trump - një krim që mbart një dënim maksimal prej pesë vitesh me burg.
Akuzat kundër zotit Flynn ishin pjesë e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
GJykatësi Sullivan i tha zotit Flynn në dënimin e tij në vitin 2018 se gënjeshtra ndaj FBI-së ishte një "shkelje shumë e rëndë".
Zoti Flynn fillimisht tha se ishte fajtor, se askush nuk e kishte bindur për të pranuar krimin e tij dhe se ai nuk kishte ndërmend të tërhiqte mbrapsht deklaratën e tij.
Por, ndërsa po afrohej dita e tij e dënimit, zoti Flynn iu drejtua gjykatës për një shtyrje, duke pretenduar se prokurorët e kishin futur në kurth.
Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tronditi dhe zemëroi komunitetin juridik javën e kaluar kur tha se çështja kundër zotit Flynn duhet të rrëzohej.
Zoti Barr tha se gënjeshtrat që Michael Flynn u tha hetuesve nuk ishin të rëndësishme për hetimin e përgjithshëm të Prokurorit Mueller.
Të tjerë zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë pohuan se zoti Flynn nuk duhej të ishte hetuar fare.
Ky vendim solli një lumë kritikash ndaj zotit Barr dhe Departamentit të Drejtësisë, duke e konsideruar të motivuar politikisht dhe se po përmbush dëshirat e Presidentit Trump.
Zoti Barr i tha kanalit CBS se politika nuk kishte asnjë lidhje me këtë, duke thënë se "nuk mund të përcaktohet një krim në këtë rast. Ata (FBI-ja) nuk kishin baza për një hetim kundërzbulimi ndaj zotit Flynn në atë fazë".
Nuk ka asnjë reagim ndaj vendimit të Gjykatësit Sullivan deri më tani nga Prokurori i Përgjithshëm Barr ose nga Shtëpia e Bardhë.
Facebook Forum