Lidhje

Gjykata anullon dënimin me vdekje për autorin e sulmit terrorist gjatë maratonës së Bostonit


Dzhokhar Tsarnaev

Një gjykatë federale e apelit rrëzoi të premten dënimin me vdekje për Dzhokhar Tsarnaevin, i dënuar për shpërthimet gjatë Maratonës së Bostonit të vitit 2013.

Trupi gjykues me tre gjyqtarë i Gjykatës së Apelit të Rrethit të Parë të Shteteve të Bashkuara në Boston dha vendimin më shumë se gjashtë muaj pasi u dëgjuan argumentat për këtë çështje.

Sulmi i 15 prillit 2013 shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e më shumë se 260 të tjerëve.

Avokatët e zotit Tsarnaev kishin argumentuar se mbulimi intensiv i mediave kishte bërë të pamundur të kishte një gjykim të drejtë në Boston. Ata gjithashtu treguan postimet në mediat sociale nga dy anëtarë të jurisë duke sugjeruar se ata kishin mendime të forta edhe para fillimit të gjyqit në vitin 2015.

Gjykatësit e apelit, në një seancë dëgjimore për çështjen në fillim të dhjetorit, i kushtuan hapësirë të konsiderueshme një numri pyetjesh rreth argumentit se juria kishte patur paragjykime.

Ata pyetën pse dy anëtarët e jurisë nuk ishin zëvendësuar, ose të paktën pse gjykatësi që drejtonte punimet nuk u kishte drejtuar pyetje pasi postimet e tyre dolën në dritë në prag të gjykimit.

Dzhokhar Tsarnaev gjatë procesit gjyqësor në vitin 2015
Dzhokhar Tsarnaev gjatë procesit gjyqësor në vitin 2015

Gjykatësit vunë në dukje se gjykata e Bostonit ka një rregull të hershëm që përcakton detyrimin për një hetim të tillë.

Avokatët e Dzhokhar Tsarnaevit thonë se një nga anëtarët e jurisë, i cili do të bëhej drejtuesi i jurisë, ose përfaqësuesi i saj kryesor, publikoi rreth 24 mesazhe në Twitter pas sulmit. Një postim, pas kapjes së zotit Tsarnaev, e quante atë një "copë fundërrinë".

Dzhokhar Tsarnaev u gjet fajtor për 30 akuza, ndër të tjera edhe për komplot për përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë. Ai po vuan dënimin e tij në një burg të sigurisë maksimale në Kolorado.

Vëllai i tij, Tamerlan Tsarnaev, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë ditën pasi të dy vëllezërit shpërthyen pranë vijës së maratonës dy tenxhere me presion të modifikuara në bomba.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG