Lidhje

Gjykata e Lartë: Gjysma e Oklahomës është rezervat i popullsisë indigjene amerikane


Selia e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara
Selia e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara

Gjykata e Lartë njohu rreth gjysmën e zonës së Oklahomës si tokë e rezervatit të fiseve indigjene amerikane dhe rrëzoi dënimin për përdhunim të një pjestari indigjen, sepse vendi ku ndodhi krimi duhet të ishte konsideruar jashtë juridiksionit ku funksionon ligji penal i atij shteti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh sjell më shumë hollësi.

Gjykata e Lartë vendosi të enjten se prokurorët në Oklahoma nuk kanë autoritetin për të ndjekur çështje kriminale në një zonë të madhe të pjesës lindore të Oklahomës që mbetet rezervat i popullsisë indigjene amerikane.

Gjykatësit vëndosën 5-4 në favor të një burri të quajtur Jimcy McGirt i cili u dënu në vitin 1997 nga një gjykatë në Oklahoma për pëdhunimin e një fëmije 4 vjeçar. Gjykata u pajtua se vendi ku ndodhi përdhunimi duhet të ishte njohur si pjesë e rezervatit të bazuar në pretendimet historike të kombit Muscogee (Creek), përtej juridiksionit të atutoriteteve shtetërore. Gjykatësi konservator Neil Gorsuch u bashkua me katër liberalët e gjykatës për vendimin.

Vendimi e bëri të pavlefshëm dënimin prej 1 mijë vjetësh në burg për të dënuarin. Por ai mund të përballet me gjykatën federale.

Vendimi nënkupton se për herë të parë, pjesa dërmuese lindore e Oklahomës konsiderohet ligjërisht si tokë e rezervatit. Më shumë se 1.8 milion njerëz jetojnë në zonën në fjalë, përfshi rreth 400 mijë banorë që jetojnë në Tulsa, qyteti i dytë më i madh i Oklahomës.

Robert J. Miller është profesor në Kolegjin e Drejtësisë Sandra Day O’Connor në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe pjestar i fisit Easter Shawnee në Oklahoma.

Ai thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte shumë emocionues:

“Gjatë 20 viteve të fundit, fiset indiane kanë humbur shumicën e çështjeve të tyre në Gjykatën e Lartë. Ne kemi patur frikë nga rastet para Gjykatës së Lartë.”

Ai thotë se gjykatësi Gorsuch ka rezultuar të jetë një emërim i rëndësishëm për fiset indiane. Vendimi në fjalë, thotë ai, do të ketë ndikim të madh:

“Ndikimi afatshkurtër është se kombi Creek sapo zbuloi se kufinjtë origjinal të rezervatit të vitit 1832 janë ende në fuqi dhe se Kongresi nuk i ka hequr ato kurrë. Kjo do të çojë në një marrëdhënie të re midis kombit Creek në Oklahoma ...do të ketë mijëra çështje për të diskutuar, për të zgjidhur, bërë kompromise dhe negociuar.”

Reagimi i shtetit të Oklahomës do të jetë i fuqishëm, thotë profesori:

“Oklahoma ka pohuar se do të ketë kaos dhe se mijëra të burgosur do të përdorin këtë vendim si preteks për të dalë nga burgu. Shumica e Gjykatës së Lartë nuk e mori parasyshë këtë gjë, nuk mendojnë se ka shumë raste dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Desha të rikthesoj frazën që përdori gjyaktësi Gorsuch: ‘ne nuk mund të hamendësojmë ndërlikimet në të ardhmen, por sigurisht që nuk mund të lejojmë që mundësia e ndryshimeve në të ardhmen të na pengojë ne të shohim ligjin që kemi sot’. Pra gjykata po mbështet traktatin e vitit 1832 që kombi Creek nënshkroi me Shtetet e Baskuara, dhe po e mban përgjegjës Amerikën.”

Profesori thotë se do të ketë ndërlikime afatgjata edhe për fiset e tjera:

“Fise të tjera në Oklahoma, përfshi fisin tim, do të bazohen tek ky rast dhe do të pyesin nëse kufinjtë e tyre origjinal ende funksionojnë. Kështu që mund të lindin shumë debate, ndoshta edhe çështje ligjore në të ardhmen.”

Ai e përshkruan zotin Gorsuch si një poet të drejtësisë:

“Ai e fillon opinionin e tij me thënien ‘Në anën e largët të shtegut të lotëve ishte një premtim’. Kjo është poetike për mua. Dhe premtimi ishte rezervati i kombit Creek. Kongresi nuk e ka zhbërë kurrë, ndaj shumica gjykon se Oklahoma nuk kishte juridiksion mbi të pandehurin McGirt, sepse ishte në tokën e indianëve të amerikës, në rezervatin Creek.”

Anëtarët e kësaj popullsie indigjene që jetojnë brenda kufijve, tani janë caktuar të përjashtohen nga disa detyrime shtetërore, si pagesa e taksave. Ndërsa disa të tjerë, të shpallur fajtor në gjykat e atij shteti mund të jenë në gjendje të sfidojnë dënimet e tyre bazuar tek juridiksioni mbi revervatin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG