Lidhje

Gjykata, jo maskave me detyrim në tubimin elektoral të Presidentit Trump


Mbështetësit e Presidentit Trump janë vendosur përpara qendrës ku do të mbahet tubimi në Tulsa, Oklahoma (17 qershor 2020)

Gjykata e Lartë e Oklahomas kundërshtoi një kërkesë për të urdhëruar të gjithë të pranishmit në tubimin elektoral të Presidentit Donald Trump në Tulsa të shtunën të vishnin maska për fytyrën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Gjykata e këtij shteti vendosi të premten se banorët vendas që bënë kërkesën që të gjithë pjesëmarrësit në tubim të mbanin maska për fytyrën nuk mund të përcaktonin se ata kishin një të drejtë të qartë ligjore për ta kërkuar një mandat të tillë.

Fushata Trump tha se organizatorët do të ofrojnë maska dhe dezinfektantë duarsh për të gjithë ata që do t'i dëshirojnë. Organizatorët do të kontrollojnë temperaturën e të gjithë të pranishmëve për tu mbrojtur nga përhapja e virusit. Fushata tha se po e merr "seriozisht sigurinë" pasi disa ekspertë të shëndetit kanë paralajmëruar se grumbullimi i madh mund të promovojë përhapjen e koronavirusit.

Mbështetës të Presidentit Trump përpara Qendrës BOK, në Tulsa, Oklahoma (19 qershor 2020)
Mbështetës të Presidentit Trump përpara Qendrës BOK, në Tulsa, Oklahoma (19 qershor 2020)

Menaxherët e Qendrës Banka e Oklahomas (BOK), arena me mjedise të mbyllura në Tulsa ku do të zhvillohet tubimi, i kanë kërkuar fushatës së presidentit një plan me shkrim për shëndetin dhe sigurinë. Zyrtarët e Qendrës BOK thanë se ata e kërkuan planin sepse Tulsa po përjeton rishtazi një rritje të rasteve të koronavirusit.

Arena ka vend për 19'000 njerëz, dhe fushata Trump thotë se më shumë se një milion njerëz kanë kërkuar bileta.

Kryetari i Bashkisë së Tulsas, G.T. Bynum, thotë se pritet një grumbullim prej 100'000 njerëzish, ose më shumë, në zonën rreth tubimit.

Zoti Bynum shpalli gjendjen e emergjencës civile dhe caktoi një shtetrrethim gjatë orëve të natës për zonën përreth arenës, duke përmendur trazirat që pasuan disa nga protestat e fundit në të gjithë vendin kundër brutalitetit të policisë.

Sidoqoftë, Presidenti Trump shkruajti të premten në Twitter se ai foli me zotin Bynum dhe se nuk do të kishte shtetrrethim.

Zyra e kryebashkiakut fillimisht tha se ndalim-qarkullimi do të qëndronte në fuqi nga ora 10:00 e darkës të premten, deri në orën 6 të mëngjesit të shtunën dhe se përsëri do të ishte në fuqi natën e së shtunës.

Zoti Bynum thotë në urdhrin e tij se: "Kam marrë informacione nga Departamenti i Policisë së Tulsas dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që tregojnë se individë nga grupe të organizuara që kanë qenë të përfshirë në sjellje destruktive dhe të dhunshme në shtetet e tjera, po planifikojnë të udhëtojnë drejt Qytetit Tulsa me qëllim shkaktimin e trazirave brenda dhe përreth tubimit". Zoti Bynum nuk identifikoi grupet të cilave u referohej.

Presidenti Trump shkruajti të premten në Twitter se: "Çdo protestues, anarkist, agjitator, plaçkitës apo huliganë që do të shkojnë në Oklahoma, ju lutemi kuptoni se nuk do të trajtoheni si në New York, Seattle ose Minneapolis. Do të jetë një skenë shumë më e ndryshme!".

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha se Presidenti Trump po i referohej protestuesve të dhunshëm, jo atyre paqësorë.

Tubimi i Tulsas ishte planifikuar fillimisht për ditën e premte, por u shty me një ditë pas kritikave se qëlloi në Juneteenth, që shënon fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara, si dhe zhvillohet në një qytet ku ndodhën vrasje raciale në 1921 që morën jetët e disa qindra afrikano-amerikanëve.

Ky është aktiviteti i parë madhor për rizgjedhjen e Presidentit Trump që nga masat izoluese për koronavirusin në pjesën më të madhe të vendit dhe protestat e fundit mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa ishte ndaluar nga oficerët e bardhë të policisë në Minneapolis muajin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG