Lidhje

Kosovë: Gjykata Kushtetuese thotë se nuk ka boshllëk institucional


Kosovë: Gjykata Kushtetuese thotë se nuk ka boshllëk institucional
Kosovë: Gjykata Kushtetuese thotë se nuk ka boshllëk institucional

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi sot se vendi nuk ka boshllëk institucional pas vendimit të saj me të cilin e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli.

Në një vendim të kësaj gjykate, që ishte përgjigje në disa çështje të shtruara nga ish presidenti Pacolli, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi dhe qeveria e Kosovës, gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars. Nga kjo datë, thuhet në vendim, Kosova ka ushtrues detyre të presidentit. Ndonëse nuk thuhet në vendimin e gjykatës, sipas kushtetutës, ushtrues i detyrës së presidentit është kryetari i Parlamentit.

Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se Parlamenti nuk ka nevojë të shpërbëhet dhe vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq, në pyetjen e shtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në seancë , në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet drejtpërdrejt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata nënvizon se nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes dhe se sic thuhet, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e qeverisë, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri.

Thaci: Opozita fajtore nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Më herët gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fajësoi opozitën për situatën e krijuar në vend, ndërsa paralajmëroi një proces të shpejtë të zgjedhjes së presidentit duke i bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga bojkotimi. Në seancën e 22 shkurtit, kur zoti Pacolli si kandidat i vetëm, u zgjodh në postin e presidentit në atë që u cilësua si votim jo kushtetues, opozita braktisi sallën duke e lënë Parlamentin pa numrin e mjaftueshëm të deputetëve.

Gjykatat kushtetuese ka konstatuar se shkelja ka ndodhur nga bojkotuesit. Nëse kjo pjesë e opozitës vazhdon me bojkot, atëherë ata detyrimisht e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh”, tha kryeministri Thaçi duke nënvizuar se diçka të tillë nuk e pret as Washingtoni e as Bashkimi Evropian.

Opozita me qëndrim të pandryshuar

Opozita ndërkaq tha se nuk ka ndryshuar qëndrim. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri tha se ajo do të sillet njësoj sikurse më 22 shkurt nëse nuk ndryshon qasja e koalicionit qeverisës.

Nëse nuk ndryshon qasja e partnerëve të koalicionit, atëherë ai do të mbetet problem i tyre se si do ta zgjedhin presidentin dhe LDK do ta ketë qëndrimin e njëjtë që e ka pasur, përfshirë bojkotimin e seancës, Është e drejtë demokratike e jona, është pjesë e demokracisë, është mjet ligjor i lejueshëm i opozitës që ta përdorë këtë metodë. Po ashtu, ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të arritur një marrëveshje kalimtare që nuk do të nënkuptonte në asnjë mënyrë që LDK do të hyjë në koalicion me PDK-në... Por, nuk është obligim i opozitës me i sigurua numrat dhe zgjedhjen as qeverisë as ndonjë vendimi tjetër pozitës”, tha zoti Beqiri.

Derisa vazhdojnë diskutimet se si do të veprohet më tej me tejkalimin e situatës, Aleanca Kosova e Re, ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit për zgjedhjen e presidentit. Po, ashtu, zyrtarë të kësaj partie thanë se kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për ri kandidimin e zotit Pacolli për këtë post, ndërsa kanë caktuar edhe deputeten nga radhët e tyre, Suzanë Novobërdaliu, që të jetë si kundër kandidate, meqë Gjykata Kushtetuese sqaroi se kjo është e domosdoshme. Por. Nënshkrimet ende nuk janë dorëzuar në kryesinë e Parlamentit

Ende nuk është e qartë se si do të pasqyrohet në tërë këtë situatë vendimi i ri i Gjykatës e cila thotë se vendi ka ushtrues detyre të presidentit dhe sipas kushtetutës ky funksion mund të ushtrohet për gjashtë muaj.

XS
SM
MD
LG