Lidhje

Gjykata liron botuesin Çili me masën "detyrim paraqitjeje"


Henri Çili
Henri Çili

Gjykata e Përmetit liroi botuesin Henri Çili, duke dhënë masën “detyrim paraqitje” në një proces të zhvilluar për gati 8 orë në Përmet.

Çili ishte hetuar nga Prokuroria e Përmetit për “Fshehje të të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim. Botuesi i mohoi të dielën në gjykatë dyshimet e Prokurorisë.

Pas daljes i lirë nga gjykata ai nuk bëri komente për gazetarët.

Përpara gjykatës dolën edhe 27 të ndaluar të tjerë në operacion policor “Mezhgorani”, të vlerësuar me masa të ndryshme sigurie.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Përmet për masën e sigurisë gjyqtari Dritan Hasani shqyrtoi dhe dha vendime për 28 prej të ndaluarve: 15 do të qëndrojnë në burg, 11 në detyrim paraqitje dhe 2 në arrest shtëpie.

Ndërkohë për një prej të ndaluarve Betim Shkupi masa do të jepet nga një tjetër gjyqtar për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtarit Hasani me të ndaluarin, ndërsa për sipërmarrësin Sait Fishta masa e sigurisë do jepet të hënën, pasi gjendet i shtruar në spital.

Prokurori i çështjes Asllan Bajrami kërkoi arrest në burg për botuesin Çili dhe për pjesën dërrmuese të të ndaluarve, përvec dy grave ndaj të cilave ishte kërkuar masa e ndalimit arrest shtëpie.

Botuesi Çili, u ndalua nga policia të enjten në mbrëmje pas hetimeve nga Prokuroria e Përmetit nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore në të paktën dy raste për të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave. Ai ra në rrjetën e drejtësisë, ndërsa Prokuroria e Përmetit kishte nisur hetimet për një episod transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi.

Mes rreth 36 personave të përfshirë në këtë hetim, në faza të ndryshme, falë përgjimeve, ishte edhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, një person me precedentë të mëparshëm penalë. Bisedat e Ajdinit me botuesin Çili, zbuluan, sipas dokumenteve të prokurorisë, përpjekjet e këtij të fundit për të kërkuar favore pranë sistemit të drejtësisë, për të paktën dy raste.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës. Po ashtu edhe në një tjetër rast, për një të dënuar tjetër po me burgim të përjetshëm nga Fieri.

Në të dyja rastet, sipas prokurorisë, rezulton se Çili ka marrë para në këmbim të shërbimit që ai do të kryente.

Botuesi Henri Çili i mohoi të dielën dyshimet e Prokurorisë duke u shprehur para gjyqtarit Dritan Hasani se arrestimi i tij ishte bërë i pa bazuar në prova. Gjatë seancës Çili ka pranuar bisedat që rezultonin në përgjimet, por tha se ka në pronësi një studio ligjore për ndërmjetësime, përfaqësime lobuese dhe gjyqësore dhe ato ishin në kuadër të këtij aktiviteti.

AVOKATI: MUNGESË KOMPETENCE NGA PROKURORIA

Ndërsa Avokati Ardian Visha tha se çështja në ngarkim të botuesit ishte ndërtuar nga Prokuroria e Përmetit mbi mungesë kompetence dhe juridiksoni. Akuza e “mashtrimit” dhe “ndikimit te paligjshëm” nuk mund të bashkëjetojnë , o njëra o tjetra” , tha Visha.

Sipas tij, prokuroria e Përmetit për akuzën “e mashtrimit” nuk ka kompetenca territoriale, ndërsa për akuzën e “ndikimit” nuk ka kompetencë lëndore. Kjo i bën absulutisht të paligjshme veprimet e Prokurorit dhe vendimet e gjyqësorit të Përmetit, tha Visha.

Sipas dokumenteve të hetimit të Prokurisë në mesin e muajit janar, në mjediset e një hoteli në Tiranë, Çili rezulton të ketë biseduar edhe me drejtuesin e një organi të lartë të Drejtësisë të cilit siç thotë fashikulli hetimor i ka kërkuar që të ndikojë që të trajtoheshin sa më shpejt rastet e të dënuarve për të cilët ai kishte marrë përsipër të ndërhynte. Po sipas dokumenteve të hetimit, funksionari i drejtësisë nga ana e tij mësohet t’i ketë premtuar se dosjet e tyre do të jenë mes 50 të parave.

Në procesin e së dielës për masën e sigurisë nuk ka dalë emri këtij funksionari.

Vetë botuesi Çili sipas burimeve në procesin gjyqësor për masën e sigurisë është shprehur i gatshëm të flasë për këtë takim, por siç i tha ai gjykatësit, takimi nuk kishte pasur asnjë lidhje me çështjet që po trajtoheshin në gjykatë.

Nga provat në dosjen hetimore rezulton se ky takim është vëzhguar dhe për këtë ka një raport vazhgimi në dosjen hetimore, por nuk është përgjuar pasi nuk ka një raport përgjimi dhe rrjedhimisht nuk ka informacion për përmbajten e bisedës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG