Lidhje

Gjykata e Hagës përgënjeshtron njoftimet e mediave serbe mbi disa dëshmitarë në çështjen Haradinaj


Gjykata e Hagës përgënjeshtron njoftimet e mediave serbe mbi disa dëshmitarë në çështjen Haradinaj
Gjykata e Hagës përgënjeshtron njoftimet e mediave serbe mbi disa dëshmitarë në çështjen Haradinaj

Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, ka përgënjeshtruar njoftimet e medieve serbe, të cilat botuan një listë emrash të personave të vrarë për të cilët pretendohej se ishin dëshmitarë në procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një deklaratë për opinion të shërbimit për informim të Gjykatës thuhet asnjë nga personat e përmendur në listën e publikuar javën e kaluar nuk ishte në programin e mbrojtjes së Gjykatës dhe asnjëri nga ata nuk ishte nën masat e mbrojtjes të urdhëruara nga Gjykata në rastin Haradinaj. Në njoftim thuhet se “disa nga vrasjet e supozuara u kryen para se Gjykata e Hagës të fillonte hetimet kundër Ramush Haradinajt.

Në njoftim thuhet se Kujtim Berisha ishte i vetmi person emri i të cilit paraqitet në listë, e që ishte planifikuar të ftohet si dëshmitar në gjykimin kundër zotit Haradinaj. Kujtim Berisha vdiq në një aksident me makinë në vitin 2007 në Podgoricë. Autoritetet Malazeze hetuan aksidentin dhe, sipas informatave të gjykatës, asnjë provë nuk u gjet që do të tregonte se aksidenti ishte i organizuar.

Gjykata e pranon interesimin e ligjshëm të publikut në Serbi për gjyqet e mbajtura në Hagë dhe se kjo përfshin sigurinë e dëshmitarëve. Megjithatë, deklaratat që personat e pranuar nga Tribunali i Hagës si dëshmitarë kanë qenë të vrarë janë thjesht të gabuara, përfundon njoftimi i Gjykatës së Hagës.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish muajin e kaluar në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 18 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG